Shefja e grupit parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila në konferencë për media pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit ka deklaruar agjendën e dy seancave plenare të caktuara në këtë mbledhje.
“Është miratuar mbajtja e dy seancave, ashtu siç e kemi paralajmëruar seanca e ditës së mërkure do të trajtoj pikat e papërfunduara nga seancat e mëparshme. Gjithashtu është caktuar seancë e re e Kuvendit, ditën e enjte, një agjendë e cila përmban deklarimet jashtë rendit të ditës, pyetjet parlamentare. Shtesë do të trajtohet vendimi i Qeverisë për masat emergjente në sektorin e energjisë, gjithashtu do të trajtohet vendimi i komisionit për ekonomi për shkarkimin e bordit të komisionit të pavarur të minierave dhe mineraleve”, tha ajo, raporton IndeksOnline.
Ndër tjerash Kusari-Lila iu përgjigj komenteve për përplasje të Qeverisë së Kosovës dhe atë të ShBA-së. Sipas saj nuk behët fjalë për përplasje por për ndryshim mendimesh.
“Qeveria e Kosovës nuk ka asnjë përplasje me SHBA-të dhe nuk ka pasur, ne mund të kemi ndryshim mendimesh në raport me procesin dhe agjendën e dialogut. Ambasada e SHBA-së, ka ftuar nga pozita Ministrat e dikastereve të veçanta që mund të kontribuojnë në diskutimin për çështjen e asosacionit dhe natyrisht përfaqësues të partive opozitare, d.m.th. nga pozita ka mjaftueshëm ministra të cilët janë ftuar për të diskutuar. Sa i përket diskursit publik që ka përplasje, mendoj që ne vazhdimisht koordinohemi, komunikojmë por gjithashtu kemi të drejtën e mendimit në raport më çështjet të cilat janë të rëndësisë jetike për të ardhmen e republikës së Kosovë”, ka thënë Kusari-Lila.