Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka thënë se mbajtja e dy pozitave njëkohësisht, pra ajo e deputetit dhe ajo e kryeministrit ose ministrit është në kundërshtim me ligjin. Sipas IKD-së, Qeveria në detyrë duhet të lirohet nga anëtarët e saj të cilët janë zgjedhur deputetë të Kuvendit të Kosovës.
IKD e ka konstatuar këtë në raportin me titull “Moszbatimi i vendimeve gjyqësore -Paligjshmëria e Qeverisë Kurti dhe abuzimi me ushtrues detyre” të publikuar të mërkurën, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Aktualisht, këtu bëjnë pjesë Kryeministri së bashku me 13 ministra dhe 1 zëvendësministre. Po ashtu, në mesin e tyre bënin pjesë edhe ish-ministrja e Ministrisë së Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe ish-zëvendëskryeministrja e tretë, Emilja Rexhepi. Mirëpo, të njëjtat dhanë dorëheqje nga këto pozita vetëm pas zgjedhjes së tyre si nënkryetare të Kuvendit. Pas betimit të deputetëve, konstituimi i Kuvendit u përfshi në një krizë politike, ashtu që deri në ditën e publikimit të këtij raporti, Kuvendi nuk është konstituuar ende, ndonëse Kryetari i Kuvendit e ka konstatuar këtë”, thuhet në raportin e IKD-së.
Sipas IKD-së, kunderligjshmëria e mbajtjes së dy pozitave është konfirmuar edhe nga Gjykata Supreme, vendim ky të cilin anëtarët e Qeverisë nuk e zbatuan.
“Kështu, megjithëse të njëjtit u certifikuan dhe u betuan si deputetë, ata nuk dhanë dorëheqje nga pozita e anëtarit të qeverisë. Në kundërshtim me Kushtetutën dhe Ligjin, ata vazhduan të mbajnë të dy pozitat. Kundërligjshmëria në mbajtjen e këtyre dy (2) pozitave u konfirmua edhe nga Gjykata Supreme. Megjithatë, në vend të përmbushjes së minimumit legjitim të pritur, pra implementimit të vendimit të Gjykatës Supreme, anëtarët e Qeverisë iu vërsulën Gjykatës Supreme derisa nuk zbatuan vendimin e saj”, thuhet në raport.
IKD nënvizoi se kjo çështje është duke u trajtuar edhe nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK).
Veç kësaj, IKD thotë se edhe argumentimi i Qeverisë se duhet të vazhdojë funksionimi i tyre deri në zgjedhjen e një qeverie të re, nuk ka mbështetje në Kushtetutë dhe ligj.
“Dispozitat ligjore tregojnë se përmes këtij argumenti, Qeveria ngatërron konceptin e qeverisë në detyrë si institucion me konceptin e anëtarit të qeverisë si individ”, thotë IKD.
Po ashtu, IKD thotë se nuk kërkohet mosfunksionimi i Qeverisë në detyrë, por ajo duhet të lirohet nga anëtarët e saj të cilët janë zgjedhur deputetë.
“Në këtë situatë, bazuar në dispozitat ligjore dhe kushtetuese, nuk kërkohet që mos të funksionojë Qeveria në detyrë apo në dorëheqje, por se kërkohet që në përbërjen e kësaj Qeverie mos të ketë persona që aktualisht mbajnë pozitën e deputetit. Kështu, Qeveria duhet të lirohet nga anëtarët e saj të cilët janë zgjedhur deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Në pozitat e tyre mund të vazhdojnë zëvendësit e ministrave, të cilët nuk mbajnë pozitën e deputetit në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Sipas Ligjit Nr.08/L-117 për Qeverinë, këtë veprim anëtarët e Qeverisë është dashur ta marrin para certifikimit të tyre si deputetë”, thotë IKD.
IKD thekson se nëse ushtrohen njëkohësisht këto dy pozita, i bie se anëtari i Qeverisë është pjesë edhe e institucionit mbikëqyrës të saj e po ashtu edhe institucionit të mbikëqyrur.
Të tjera
Lajme
Presidentja Osmani reagon ndaj përpjekjes për të fotografuar vajzat e saj në shkollë
Gjatë ditës së sotme u raportua
Showbiz
Befason Olsa Muhameti: Publikon foto të Xhenetës dhe Gjestit në shtrat
Producentja e Big Brother VIP Kosova,
Opinione
Arrestimi i kameramanit, Zogaj: Më i keq se modeli i qeverisjes Kurti do të ishte ai i Osmanit
Më herët, Asociacioni i Gazetarëve të