Presidenti serb ka dhënë sinjale të forta se është pro planit franko-gjerman, por sipas tij, negociatat për marrëveshje dhe kthimi i serbëve në institucione, mund të ndodhin vetëm pasi të formohet Asociacioni. Kjo ka shtyrë Perëndimin të thotë se Asociacioni është i ndarë nga plani franko-gjerman dhe se themelimi i tij duhet të nisë menjëherë. Lutfi Haziri “pranimin” e planit e quan lojë të Vuçiqit me qëllim që Kosova të mbetet pala që po e dështon marrëveshjen. Kurti ka kërkuar që Asociacioni të trajtohet në kuadër të planit, por qëkur emisarët e hodhën poshtë këtë, ai më s’është prononcuar.
Serwer: Versioni i fundit franko-gjerman, këto janë të rejat dhe defektet
Në një moment, Kryeministri Albin Kurti ishte kthyer në gardianin e planit franko-gjerman. Madje, e mbronte atë edhe nga evropianët, që ishin krijuesit e atij propozimi. Pas takimit të fundit me Presidentin serb, Aleksandër Vuciqin, në Bruksel, Kurti e akuzonte Kryediplomatin e BE-së, Joseph Borrell, se kishte hequr dorë nga propozimi evropian, që fillimisht është njohur si “plan franko-gjerman”.
Me ato që janë deklaruar pas së premtes kur Kurtin dhe Vuciqin i vizituan pesë top diplomatët, duket se disa gurë kanë lëvizur. Pozicionet e Kurtit dhe të Vuçiqit rreth planit franko-gjerman, nuk janë më krejt të njëjta.
Pas dy orë diskutimesh në zyrën e Kurtit, Miroslav Lajcak, përfaqësues special i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, tha se ka pritur që propozimi evropian të kuptohej më mirë.
“Është shumë herët të bëjmë ndonjë deklaratë dramatike, sepse jemi në mes të misionit dhe do të vazhdojmë në Beograd. Nuk mund të them shumë. Çfarë dua, megjithatë, të them në këtë pikë, është se ne kemi pritur kuptim më të mirë për mundësitë që ky propozim [propozimi evropian] i ofron”, u shpreh Lajçaku pas takimit me Kurtin.
Pesëshja diplomatike do të lajmërohej nga Beogradi, kur Qeveria e Kosovës lëshoi një njoftim rreth takimit në Prishtinë.
Pa u lënë të kuptohej se kishte ndonjë mospajtim, as çka kishte pritur Lajcak, Qeveria e Kosovës konfirmoi se në krejt atë takim u diskutua për propozimin evropian, të cilin, edhe më tutje Kurti e vlerëson “bazë të mirë” për diskutim.
“Për më shumë se dy orë u diskutua për propozimin evropian, të cilin Kryeministri Kurti e vlerëson si bazë të mirë për diskutim të mëtejshëm për të ecur përpara drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me njohje reciproke në qendër”, thuhej në njoftimin e Kryeministrisë.
Gjatë fundit të vitit që shkoi, kryeministri Kurti thoshte se Vuçiq nuk po e pranonte propozimin evropian dhe ishte i bindur se prej këtij refuzimi buronin tentimet e tij për ta destabilizuar veriun e Kosovës.
Duke u nisur nga kjo deklaratë e Kurtit, befasia ndodhi në Beograd. Pas takimeve me diplomatët evropianë dhe përfaqësuesin amerikan, presidenti serb tha se do të negociohej me Kosovës, sipas propozimit evropian.
“Duhet ta pranoni këtë plan, më thanë”, tha Vuçiq në një konferencë për media mbrëmjen e 23 janarit.
Presidenti serb tha se nëse Serbia do të refuzonte të bisedonte në bazë të propozimit, përveç bllokimit të integrimeve dhe ndaljes së investimeve, do të ballafaqohej edhe me regjimin e vizave.
Ndërkaq, Lajcak, siç kuptohej nga deklarata e tij, mirëkuptimin e kishte gjetur në Beograd. Ai tha se Vuciq ka treguar qasje të përgjegjshme dhe vullnet “për të marrë vendime të vështira”.
Lutfi Haziri, që e përfaqëson qëndrimin e LDK-së për Dialogun, beson se Serbia nuk e pranon në të vërtetë propozimin evropian. Sipas tij, kjo është një lojë e Vuçiqit, i cili po shpreson që Kosova do ta dështojë propozimin.
“Mos mendoni se Serbia është e gatshme për ta pranuar atë që e kanë thënë sot në Beograd. Ata e kanë bërë një rrezik publik, politik, për ta zbardhur pozicionin e tyre karshi Kosovës, duke shpresuar në dështimin e Kosovës. Duke shpresuar se Kosova do të bie prapë në hendekun e përgatitur nga ta”, ka thënë Haziri më 23 janar në T7.
Duke folur për propozimin franko-gjerman, emisari amerikan, Gabriel Escobar, që ishte pjesë e delegacionit të Perëndimit në takimet e së premtes, tha se Kosova “ka brenga”.
“Ata kanë brengat e tyre. Mendoj se kemi ende punë për të bërë, por besoj se do ta arrijmë qëllimin. Kosova ka mbështetjen e plotë të SHBA-së, është një partnere e mirë, dhe s’kam ndonjë dyshim në këtë gjë. Besoj se do të arrijmë çfarë duam”, ka thënë Escobar.
Përveç deklaratës së lëshuar pas takimit të së premtes, nga Qeveria e Kosovës nuk janë dhënë informata më të hollësishme se ku qëndrojnë diskutimet rreth propozimin evropian dhe as për “brengat”, për ta cilat foli emisari amerikan.
Edhe në deklaratën e fundit të Qeverisë, Kosova pret diskutime me Serbinë, me bazë propozimin franko-gjerman, që çojnë në normalizim të raporteve me “njohjen në qendër”. Nga versionet e propozimit gjerman, që janë publikuar në media, i fundit është ai për të cilin ka raportuar Radio Evropa e Lirë. Sipas këtij raportimi, propozimi evropian nuk parasheh njohjen reciproke e as anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara.
Michael Martnes, gazetar në Frankfurter Allgemeine Zeitung, ka shkruar se Kurti u ka vënë si kusht diplomatëve perëndimorë që ta garantojnë se Kosova merr njohjen nga pesë shtetet e BE-së që e mohojnë, në këmbim të pranimit të propozimit evropian.