Gazeta raportoi sot ekskluzivisht për aksionin e Policisë në koordinim me Prokurorinë, që rezultoi me arrestimin e katër personave që dyshohen të jenë përfshirë në veprimtari kriminale që një periudhë të caktuar. Grupi kriminal që u godit nga Policia ka qenë objekt hetimi që disa muaj dhe dyshohen për tentim vrasje, rrahje, detyrim, zjarrvënie e vepra të tjera kriminale. Driton Sylejmani, Hyseni Hoxha, Xhevdet Mehanja dhe Tefik Shalaku, janë të dyshuarit që ranë në prangat e Policisë dhe tashmë ndodhen nën masën e ndalimit policor.
Sipas informacioneve të para që posedon Sinjali, ky grup dyshohet se ka operuar me pagesë, për t’u angazhuar me para për rrahjen e personave të caktuar. Hetimet e zhvilluara deri më tani kanë zbuluar së paku 6 persona, të cilët janë identifikuar si subjekt i “trajtimit” nga ky grup.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije për Sinjalin se katër personat e arrestuar gjatë ditës së djeshme dyshohen për kryerjen e disa veprave penale si: Vrasje e rëndë në tentativë, shkaktim i rrezikut të përgjithshëm, lëndim i rëndë trupor, zjarrvënie, privim i kundërligjshëm nga liria, detyrim, posedim i paautorizuar i armëve e vepra të tjera.
Por, kush është Driton Sylejmani?
Sylejmani,më parë ishte dënuar për një kidnapim, ndërsa familja e tij u përmend si e përfshirë në vrasjet e pas luftës. Për këtë çështje kishte folur vetë Dritoni më 2017, pasi vëllai i tij Agroni ishte akuzuar për vrasjen e Haki Imerit dhe Bekim Kastratit.
Ai kishte thënë se vëllai i tij (Agroni) i cili ishte vrarë, ishte i pafajshëm, pasi në kohën kur akuzohej për vrasje, ai gjendej në Gjermani.
Driton Sylejmani që është arrestuar mbrëmë, kishte deklaruar se përgjegjës për akuzat e padrejta ndaj vëllaut të tij, Agronit janë “komandantët e Drenicës”, e më përgjegjësi mes tyre e konsideronte ish-presidentin Hashim Thaçi.
Sipas Sylejmanit, Thaçi, kishte paguar që fajin t’ia hedhte Agonit, vëllait të tij.
I pyetur atë kohë se a ishte kontaktuar nga Gjykata Speciale lidhur me këtë rast, Driton Sylejmani pati mohuar një gjë të tillë.
Vdekjet nga shurupet e kollës, OBSH: Masa të menjëhershme për mbrojtjen e fëmijëve
“Unë nuk e di së pari me çka merret Gjykata Speciale. Nuk më ka kontaktuar askush, unë kam dashur vetëm sqarimin e vrasjes së vëllait, kam kërkuar të dihen këto gjëra për të. Jam viktimë e këtyre veprave. Për këto e din shumë mirë EULEX dhe UNMIK-u, por për shkak të bizneseve që i kanë të përbashkëta këta mundohen që pisllëqet e tyre t’i mbulojnë më persona të pafajshëm”, ishte shprehur ai.
Ndërsa, i pyetur se si do të veprojë nëse Gjykata Speciale do ta bënte fajtor Agronin, Driton Sylejmani pati thënë se nuk mund të ndodh kjo, pasi sipas tij, Specialja e di se kush i ka bërë vrasjet në Kosovë.
“Gjykata Speciale nuk mundet ta bëjë fajtor atë, se do të jem ai që do të përcjell çdo seancë, pasi ajo ka të bëjë me njerëz të gjallë e jo të vdekur. Edhe Specialja e din kush i ka bërë ato”, thoshte ai.
Sylejmani ishte përmendur edhe nga Shkumbin Mehmetit, ky i fundit e kishte pranuar para prokurorit që ka kryer vrasje të ndryshme, përfshirë vrasjet me motive politike, kidnapime, haraç, nxjerrje borxhesh etj.
Në këtë tregim, Mehmeti e kishte përmendur edhe emrin e Driton Sylejmanit, si të përfshirë në një kidnapim.
Për këtë vepër Driton Sylejmani ishte arrestuar dhe së bashku me vëllain e tij, Agronin, sipas dëshmitarit ishin pjesë e një grupi kriminal, të cilit i ishte bashkuar edhe vetë Shkumbin Mehmeti.
Dëshmitari kishte thënë këtij grupi kriminal i ishte bashkuar në mars të vitit 2003.
Atë kohë, Mehmeti pati thënë se kishte dalë në arrati për shkak se Policia i kishte zënë në shtëpi një sasi të madhe eksplozivi.