Bashkim Kastrati nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka hedhur dyshime se ka ndodhur një hapje e portave të digës për zbrazje në Liqenin e Ujmanit e se kjo, sipas tij, mund të jetë njëri nga faktorët pse janë shkaktuar vërshime të mëdha në regjionin e Mitrovicës. Por këtë e ka mohuar kategorikisht drejtori i ndërmarrjes “Ibër-Lepenci”, Faruk Mujka, që menaxhon Ujmanin.
Kastrati në një intervistë në “60 Minuta” të KTV-së ka thënë të premten se ka pasur ngritje enorme të ujit në Ujman, duke u bazuar në stacionin hidrometrik që kontrollohet nga IHMK-ja.
E dhimbshme: Nesër i jepet lamtumira e fundit 32-vjeçarit që u gjet pa shenja jete në Fushë Kosovë
Për këtë, Kastrati ka thënë se i kanë lajmëruar me kohë institucionet përkatëse që ajo pjesë është shumë e fryrë dhe mund të shkaktojë probleme.
“Ne kemi dy stacione hidrometrike në zonën e Mitrovicës. Janë stacione automatike me transmetim të të dhënave online. Çdo 15 minuta e bëjnë regjistrimin e nivelit të ujit dhe disa parametrave të tjerë. Ne i përcjellim me kohë. Stacioni monitorues në Ibër e monitoron zbrazjen prej akumulacionit të Ujmanit, dhe kemi vërejtur që brenda 24-48 orëve, ka pas ngritje enorme të nivelit të ujit deri në tri metra, që është e pazakontë. Kjo të bën të kuptosh se ata i kanë hapur portat e zbrazjes së digës në Ujman.
Ky është proces normal sepse për ta mbrojtur një rezervuar ujor, kur ka sasi të konsiderueshme të reshjeve, duhet të hapen portat. Por nuk e di a ka pas informacione paraprake institucionale. Kemi lajmëruar që kjo pjesë e Ibrit është shumë e fryrë dhe ka potencial që në rrjedhën e poshtme të saj të shkaktojë probleme. Dhe ashtu doli”, ka thënë Kastrati, duke theksuar se kjo ishte njëri ndër faktorët që ka shkaktuar vërshime të mëdha në rajonin e Mitrovicës, por që sipas tij, ka pasur edhe kontribut nga lumenjtë e tjerë.
Këtë e ka mohuar Mujka. Ai ka thënë se portat e digës së Ujmanit hapen automatikisht kur arrihet kuota maksimale e ujit, gjë që siç thotë ai, nuk është arritur dje.
“Nuk është e vërtetë që ka pasur hapje të portave. Ajo hapet vetëm kur arrihet kuota maksimale e ujit e që nuk është arritur. Nëse do të binte shi edhe 24 orë, do të mund të arrihej kjo kuotë dhe në mënyrë automatike hapet sepse munden me u ça portat e digës”, ka thënë Mujku për KOHËN.
Rajoni i Mitrovicës u përfshi nga vërshime të mëdha të enjten. Gjendje më e rëndë u regjistrua në qytetin e Skenderajt. Por edhe në Mitrovicë e Klinë, u regjistruan dëme të mëdha. Peja e Istogu gjithashtu u prekën nga vërshimet./Botapress.info/