Në vazhdim sjellim dy dëshmitë e fundit të dëshmitarëve Rafael Sopi e Sabit Ratkoceri në procesin gjyësor kundër Adem Demaçit të mbajtur më vitin 1959.
- RAFAEL SOPI
Dëshmitari, Rafael Sopi, para organeve hetuese, më 14 shkurt 1959, deklaron:
Të pandehurin Adem Demaçi e njoh që nga viti 1956. Me të jam njohur në orët letrare, në të cilat kemi marë pjesë ai, unë, Adem Gajtani e të tjerë. Në biseda politike me mua Adem Demaçi ka filluar të lirohet në vitin 1957. Në fillim fliste për pengesat që po i bënte pushteti në zhvillimin e letërsisë shqipe në Kosmet. Nuk mund të shprehet në një letërsi të penguar gjithë ajo që mendon njeriu, dhe kështu po ngushtohet letërsia, thoshte Demaçi. Që letërsia të zhvillohej më mirë, si dhe, përgjithësisht, kultura kombëtare, Kosmeti duhet të ishte shqiptar. Në Shqipërinë Etnike, si ekonomikisht ashtu edhe në pikëpamje të kulturës, shqiptarë do të zhvilloheshin më shumë se në Jugosllavinë e tanishme.
Lidhur me shpërnguljen e shqiptarëve për në Turqi Adem Demaçi thoshte se pushteti i tashëm jugosllav po udhëhiqte politikën e Kral Aleksandrit, i cili, po kështu ka shpërngulur shqiptarë për në Turqi. Qëllimi përfundimtar i pushtetit të tashëm jugosllav me shpërnguljen e shqiptarëve është që të zvogëlojë numrin i shqiptarëve në Kosmet dhe, kështu, të pamundësohet bashkimi i Kosmetit me Shqipërinë. Duke folur për Kosmetin, Demaçi thoshte se çështja e Kosmetit do të zgjidhet me plebishit, sepse Shqipëria përmes KB -së do të kërkojë që të zbatohet një anketë në Kosmet, përmes se cilës shqiptarët do të deklaronin vullnetin e tyre. Në këtë aksion Hrushqovi, kryetar i Bashkimit Sovjetik, do t’i ndihmojë Enver Hoxhës që Kosmeti t’i bashkangjitet sa më parë Shqipërisë. Më tej, ai thoshte se e dëgjonte vazhdimisht Radio-Tiranën dhe Moskën, të cilat flitnin për problemin e Kosmeti. Nëse ky aksion nuk do të kishte sukses dhe nëse KB – ja nuk do të lejonte një gjë të tillë, ose në rast se anketa nuk do të jepte rezultate të dëshiruara, sipas tij, atëherë do t’i organizonim njerëzit për kryengritje të armatosur në Kosmet. Lidhur me kryengritjen, më tutje, ka thënë se në krye të saj do të duhej të ishte një udhëheqës, luftëtar i LNÇ- së, i cili e njeh strategjinë dhe taktikën e luftës dhe që ka autoritet ndër shqiptarët. Për këtë kryengritje Demaçi ka folur para meje dhe Mehmet Ahmetit diku në verën e viti 1958, zakonisht kur shkonin rrugës kryesore drejt hotelit “Avalla” në Prishtinë. Po kështu, më ka thënë se ai vetë, me kënaqësi, do ta pranonte udhëheqjen e kësaj kryengritje, në luftë kundër pushtetit të Jugosllavisë, sikur shqiptarët do të ta pranonin këtë. Më ka thënë se shqiptarët nga Drenica do të ishin më trimat në këtë kryengritje, se të gjithë do të ngriteshin dhe nuk do t’i dorëzonin armët dhe se drenicasit gjatë aksionit të armëve ishin të gatshëm të dilnin në mal dhe të ngriteshin në kryengritje, por për këtë i ka penguar dimri. Demaçi ka theksuar se zgjidhje e mirë e çështjes së Kosmetit do të ishte përmes plebicitit, por zgjidhja përfundimtare do të ishte përmes kryengritjes.
Lidhur me të drejtat që i kanë fituar shqiptarët në Kosmet, Demaçi ka folur diku në vitin 1958 dhe për këtë mendonte se pushteti jugosllav nuk do t’u jepte kurrfarë të drejtash shqiptarëve sikur të mos i frikohej ngritjes së tyre në kryengritje. Demaçi më ka thënë, gjithashtu, se udhëheqësit shqiptarë nuk do të luftonin gjatë LNÇ – së sikur ta dinin se kështu do të ndodhte me Kosmetin dhe me rregullimin e tij, se sot ata udhëheqës nuk kanë ku të shkojnë, sepse u janë lidhur duart, andaj janë të detyrauar të udhëheqin politikën që u serviret nga Beogradi.
Në lidhje me ndërtimet në Prishtinë, duke u shëtitur më ka thënë: “Ti mendon se ata e ndërtojnë Prishtinën për ne shqiptarët. Ata e ndërtojnë atë për serbët që i sjellin nga Serbia në Kosmet, dhe atë e bëjnë me qëllim të shtimit të numrit të serbëve në Kosmet”. Demaçi, para meje, e ka popullarizuar veprën letrare të Radovan Zogoviqit, për të cilin thoshte se ishte i vetmi nga serbët që e i ka shtruar drejt çështjet e shqiptarëve, se ishte dëm i madhe që Zogoviqi ndodhej në arrest, sepse ai është njeri i mirë, se libri i tij “Këngët e Ali Binakut” është libër i mirë dhe është dëm i madh që ky libër nuk botohet i plotë, por vetëm pjesërisht, në gjuhën shqipe.
Demaçi më ka folur se ai është duke e shkruar një vepër të madhe, në të cilën do t’i shprehë idetë e tij dhe e cila së shpejti “do të shohë dritën” e botimit. Këtë e ka thënë para meje dhe Adem Gajtanit kur ishim në vizitë në shtëpinë e tij. Nuk na e ka treguar veprën e vet, kështu që nuk e di për çka është fjala. Nuk është e vërtetë se Demaçi para meje ka folur për nevojën e formimit të organizatës ilegale, në udhëheqjen e së cilës do të isha edhe unë. Është e vërtetë se kemi qenë bashkë me një rast në hotelin “Nova Jugosllavia”, unë, Adem Demaçi, Anton Pashku, Mehmet Ahmeti, Adem Gajtani, kur Demaçi ka folur për qëllimin se do të nisë botimin e një reviste letrare dhe se për këtë do ta sigurojë një shaptilograf dhe se ne do të ishim pjesëmarrës në botimin e revistës. Mund të ketë menduar se ne mund të paraqitnim ndonjë farë forumi të ndonjë organizate, por unë nuk e kam kuptuar ashtu, dhe as që më kujtohet se jam anëtar i ndonjë organizate, e as që ai më ka thënë ai për këtë.
Shpesh jam takuar me Demaçi gjatë viteve 1957 dhe 1958 dhe në shoqëri ai ka folur për këto që deklarova dhe nuk mund të më kujtohen detajet dhe as që mund të shprehem me saktësi se kur i ka thënë këto.
Procesverbalin e lexova dhe në të janë përfshirë fjalët e mia, andaj e vërtetoj me nënshkrimin tim.
U krye në orën 13 e 30 minuta. Procesmbajtës: Ollga Laziq. Organi hetues i autorizuar: Momo Çanoviq. Dëshmitari: Rafael Sopi.
- SABIT RATKOCERI; Demaçi më ka folur për padrejtësitë që po u bëhen shqiptarëve në Kosovë
Dëshmitari, Sabit Ratkoceri, para organeve të hetuesisë, më 16 shkurt 1959, deklaron:
Të pandehuri Adem Demaçi e kam kushëri të largët dhe me të kam biseduar disa herë gjatë viti 1958. Më kujtohet se me të jam takuar në muajin shtator të vitit 1958, në shtëpinë e tij në Prishtinë. Me këte rast Demaçi më ka folur për padrejtësitë që po u bëhen shqiptarëve në Kosmet dhe më ka shpjeguar se historikishte Kosmeti i takon Shqipërisë dhe kjo është dëshira e të gjithë shqiptarëve. Që të arrijmë sukses në këtë drejtim nuk do të mund të ngriteshim në kryengritje të armatosur, sepse pushteti do ta shuante shpejt ate, por është e udhës që të luftohet në mënyra të tjera për t’i treguar botës se shqiptarët nuk janë të kënaqur. Sipas tij, do të mund të kryheshin disa atentate ndaj udhëheqësve në Kosmet. Ka thënë se do të duhej të kryhet atentat, së pari, ndaj Dushan Mugoshës dhe ndaj Fadil Hoxhës. Këto atentate do të kishin jehonë të madhe në botë dhe të gjithë do ta kuptonin se shqiptarët nuk janë të kënaqur në Kosmet dhe se po luftojnë për të drejtat e tyre.
Më pas, Demaçi më ka folur se si edhe nxënësit e tjerë shqiptarë të Gjimnazit do të duhej të luftonin kundër padrejtësive që po u bëhen shqiptarëve kudo qofshin ata, në gjimnaz ose diku tjetër.
Tjetër nuk kam çka të them. Procesverbalin e kam lexuar dhe e vërtetoj me nënshkrimin tim.
U krye në orën 14 e 28 minuta. Procesmbajtës: Ollga Laziq. Organi hetues i autorizuar: Momo Çanoviq. Dëshmitari: Sabit Ratkoceri
Fund
Marre nga Çka kanë deklaruar dëshmitarët në gjykimin e Adem Demaçit më 1959? – Diplomacia.dk