Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka kërkuar shkarkimin e ministres së Industrisë, Rozeta Hajdari, pas dënimit për mosdeklarim të pasurisë.
Tahiri gjatë fjalës së tij në Kuvend kishte theksuar se nuk do ta votojë Projektligjin për sigurinë e përgjithshme të produkteve përderisa ai prezantohet nga ministrja e dënuar.
“Sa i përket efikasiteti të këtij kuvendi sot po e fillojmë sesionin e ri pranveror me seancën e shtatorit që ka qenë seanca parë e sesionit vjeshtor. Sa i përket shqyrtimit të këtij projektligji, ai është mjaft i rëndësishëm, por që u prezantua nga një ministre që është e dënuar për fshehje të pasurisë. Kjo e bën të cenueshëm këtë ligj. Për ne është e papranueshme të vazhdojë të rrijë në sallë një person i cili e fsheh pasurinë. Asnjëherë në Kuvend nuk ka pasur ministër që ka qenë në detyrë dhe që ka qenë i dënuar për mosdeklarim të pasurisë. Këtë standard po e vendos Qeveria Kurti. Ju kërkoj të bëni presion te kryeministri që kjo ministre të shkarkohet”, është shprehur Tahiri.
Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari, i ka thënë Tahirit që të mbetet brenda agjendës.
“Po, është mungesë e efikasitetit tonë të përbashkët në këtë legjislaturë. Por do të duhej të kishte përmbajtje brenda agjendës. Ministrja e prezantoi një projektligj të rëndësishëm në diskutim. Prita një elaborim të mirëfilltë nga grupi më i madh opozitar me mendimin se jeni kthyer në seriozitet në vitin 2023. Për këtë çështje ju keni kërkuar debat i cili ende nuk është bërë. Atë debat besoj se të gjithë bashkë mund të dakordohemi ta kemi në mbledhje të kryesisë. Të mos e ndryshojmë agjendën për të cilën jemi ftuar. Ju sugjeroj që të mbesim në kuadër të agjendës”, ka thënë ajo.