Në vazhdim të dëshmive të skrimtarëve, gazetarëve e miqve të Adem Demaçit në procesin gjyqësor kundër tij më vitin 1959 bie në sy tendenca e këtyre “intelektualëve” që ta rëndojnë me dëshmi aktakuzën ndaj Demaçit dhe ta shpërfaqin veten si mbrojtës të sistemit komunist jugosllav “pishtarë” kundër nacionalizmit shqiptar e kundërshtarë të pikëpamjeve të Demaçit.
Ja në vazhdim edhe tri dëshmi të tjera të Shefqet Popovës, Shemsi Popovës e
4. SHEFQET POPOVA
Dëshmitari i katërt, Shefqet Popova, në zyrën e organit të Punëve të Brendshme, më 9.12.1958, deklaron:
Të pandehurin Adem Demaçi e njoh që nga viti 1949 kur kemi mësuar bashkë në Gjimnazin e Prishtinës. Pas përfundimit të Gjimnazit me Demaçin jam takuar disa herë, sepse që të dy kemi studiuar në Beograd gjatë viteve 1954-55, dhe më vonë në Prishtinë.
Më kujtohet se kemi qenë bashkë me Demaçin diku në muajin tetor të vitit 1958. Me ne ishte edhe Shemsi Osmani nga Prishtina. Atë ditë ka ardhur nga Beogradi Alesh Bebleri në Prishtinë dhe ka mbajtur një ligjëratë në lidhje me udhëtimin e tij nëpër Indi. Ne të tre e kemi përcjellë atë ligjeratë dhe pas saj kemi biseduar për Alesh Beblerin. Më atë rast, duke shëtitur në korzo, Adem Demaçi tha: sikur të bënim atentat në Alesh Beblerin sa bukur do të jehonte në botë. Unë e kam përkrah dhe jam pajtuar se një atentat i tillë, gjithsesi, do të bënte jehonë në mbarë botën. Për këtë kemi biseduar pa ndonjë qëllim të caktuar, përkatesisht unë nuk kam pasur kurrfarë qëllimi, e Demaçi çka ka menduar per kete nuk më është e njohur. Nuk më kujtohet se para apo pas kësaj bisede, Adem Demaçi, të njëjtën gjë e ka thënë para meje. Me Adem Demaçın kam këmbyer letra, me kujtohet diku në janar të vitit 1958, dhe njëhere i kam shkruar se po ndihem shumë keq dhe shpesh me vjen të mos jetoj më dhe të zhdukem si qen dhe për këtë e urrej veten. I kam shkruar se disa shpresa me mbajnë në jetë, por deri kur? Më tutje i kam shkruar se si për vitin e ri 1958 dëshiroj që “zotërit e tokës të ma plotësojnë një dëshirë. E kjo dëshirë e madhe ka qenë që ai kanali i hapur, që është mjaft i thellë dhe që sjell gjak në trupin tonë për shkretinë e Azisë së vogël, të mbyllet për të mirë. I kam thënë më tutje se kjo varet nga të tjerët e jo nga unë dhe për këte jam tepër i pikëlluar, ngase nuk kam kurrfarë fuqie në duar etj. Këtë ia kam thënë sepse familja ime e afërt ka shkuar për në Turqi dhe për këtë kam reaguar dhe jam ankuar.
Tjetër nuk kam çka të them. Procesverbalin e nënshkruaj, sepse në të është shënuar krejtë çka kam thënë.
U krye në orën 12. Procesmbajtësi: nuk është nënshkruar. Organi i autorizuar hetues: M. Çanoviq. Dëshmitari: Shefqet Popova
Demaç thoshte se ne në Kosmet i takojmë Shqipërisë, se kjo është toka e jonë dhe jo e Jugosllavisë
5. SHEMSI POPOVA
Dëshmitari i pestë, Shemsi Popova, para organit hetues deklaron:
Të pandehurin Adem Demaçi e njoh qysh nga fëmijëria. Kemi qenë shokë shkolle. Qysh nga koha kur kemi qenë nxënës të Gjimnazit dikir në vitin 1951, para meje Demaçi ka filluar të shfaqë qëndrimin e vet politik. Që atëherë, ai, thoshte se ne në Kosmet i takojmë Shqipërisë, se kjo është toka e jonë dhe jo e Jugosllavisë. Këso diskutimesh Demaçi i përsëriste shpesh në atë kohë derisa takoheshim në ndërtesën e Gjimnazit në Prishtinë. Në të njëjtën mënyrë Demaçi ka vepruar edhe para Avdi Sinanit, atëherë nxënës i gjimnazit dhe Shefqet Popovës, po ashtu nxënës gjimnazi.
Pas mbarimit të gjimnazit, Demaçi ka shkuar në studime në Beograd, kurse unë në studime kam shkuar një vit më vonë. Po ashtu, në shoqëri në Beograd Demaçi, sërish ka mbajtur pozicionin armiqësor. Më së shumti ka folur para meje dhe Adem Gajtanit, që tani është student në Shkup. Kur është burgosur grupi armiqësor në Prishtinë, i cili ka vepruar në kuadër të organizatës së NDSH-së, Demaçi na ka thënë se është mirë të shkruajmë letra anonime dhe të dërgohen në adresat e udhëheqësve në Kosmet, si Gjoka Pajkoviqit, Fadil Hoxhë e të tjerëve. Me këto letra ata do të kërcënoheshin për qëndrimet dhe veprimet e tyre ndaj pakicës shqiptare në Kosmet, dhe e gjithë kjo do të bëhej si reagim ndaj burgosjes se grupit të përmendur. Atëherë, Demaçi ka folur edhe për nevojën e formimit të organizatës, e cila do të punonte për çlirimin e Kosmetit, dhe për bashkimin e tij me Shqipërinë. Në këtë drejtim ka thënë se duhet të përvetësohen shqiptarët e pjekur, të cilët do të mund të tërhiqnin pas vete masën shqiptare në luftën e përbashkët për çlirimin e shqiptarëve. Për këto çështje Demaçi është deklaruar edhe para Avdi Sinanit e Enver Talit, të cilët, gjithashtu, kanë qenë një kohë studentë në Beograd, e tani gjenden në Shkup. Me kujtohet se Demaçi e ka marrë për sipër që ai t’i shkruajë letrat kërcënuese, për të cilat ishte fjala, për arsye se ishte më me përvojë në mesin tonë, siç thoshte ai vetë.
Shpeshherë, Demaçi ka deklaruar se si Kosmeti nuk është jugosllav por shqiptar. Këtë na e ka dëshmuar me një dokument, që ndodhet në Arkivin e LNÇ-së të AKMO-së, në të cilin shihet si janë marrë vesh shqiptarët dhe jugosllavët për zgjidhjen e çështjes së Kosmetit pas çlirimit të vendit; Jugosllavia tani nuk do që këtë çështje ta ngrisë dhe ta vërtetojë se Kosmeti është jugosllav, kurse e harron marrëveshjen për të cilën është fjala.
Demaçi: Bashkimi i Kosovës me Shqipërinë duhet të bëhet me luftë!
Kur kemi ardhur unë dhe Demaçi nga Beogradi në Prishtinë, në vitin 1957, shpesh herë jemi takuar dhe kemi biseduar për çështje të ndryshme. Po theksoj se Demaçi më së shumta me ka folur përkitazi me bashkimin e Kosmetit me Shqipërinë, e kjo ishte çështja kryesore që e preokuponte. Ai thoshte se ky problem mund të zgjidhe me luftë ose me plebishit; se sikur të ndodhte lufta ne shqiptarët më se shumti do të fitonim ne, sepse rusët do t’ia jepnin Kosmetin Shqipërisë, sepse kjo u konvenon edhe atyre. Mundësia e dytë ishte që çështja e Kosmetit të dalë para Kombeve të Bashkuara dhe me plebishit të vendosej se kujt do t’i takonte Kosmeti. Detyra jona ishte që të zhvillonim, sistematikisht, propagandë te të gjithë shqiptarët, që të përcaktoheshin për Shqipërinë, kur kjo çështje të vihej në rend të ditës. Do të ishte mirë që kjo propagandë të zhvillohej edhe me shkrimin e trakteve dhe shpërndarjen e tyre. Propagandën do ta udhëhiqte organizata, siç thoshte Demaçi, që do ta formonim, e cila do te ishte në gjendje të bënte ndikimin e plotë ndër masat shqiptare dhe do të orientohej kah Shqipëria. Për këtë çështje Demaçi ka biseduar edhe me Adem Gajtanin. Enver Talin, Anton Pashkun dhe Hajrulla Zymin. Këso bisedash ka zhvilluar, zakonisht, në rrugë, para hoteleve dhe në shtëpinë e tij. Gjithashtu, në vitin 1957, Demaçi para meje dhe në praninë e personave të përmendur, e ka përkrahur sulmin ndaj shtetit tonë nga ana e Shqipërisë dhe vendeve të tjera të Evropës Lindore. Ai thoshte se i vjen mirë që Shqipëria e ka ndryshuar qëndrimin ndaj Shaban Polluzhës, për arsye se më parë kishte qëndrim negativ ndaj këtij luftëtari, i cili e kishte filluar luftën për çlirimin e shqiptarëve në Kosmet. Më kujtohet se Adem Demaçi, në vitin 1957, shpesh i ka nxitur disa nxënës të gjimnazit për veprimtari armiqësore. Më se shumti ka biseduar me Sabit Ratkocerin dhe Anton Pashkun, se si duhet të ishin revolucionarë dhe t’u kundërviheshin pushtetarëve të shkollës. Ratkoceri i ka premtuar Demaçit që në çdo kohë i ka në dispozicion 20 veta për kryerjen e detyrave. Fjalimin e Enver Hoxhës, në të cilin shfaqej pretendimi për Kosmetin, Demaçi e ka përkrahur plotësisht dhe ka thënë se çështjen e zgjidhjes së Kosmetit duhet ta ngrisë Shqipëria. Udhëheqësit jugosllavë janë të vetëdijshëm se Kosmeti do të bëhet shqiptar, dhe për këtë thoshte Demaçi, ata po punonin energjikisht për ruajtjen e statusit të tanishëm për çka në njërën anë, ata, nxisnin shpërnguljen e shqiptarëve për në Turqi, me pohimin se janë “turq”, për të pamundësuar plebishitin në Kosmet vetëm me shqiptarë, por edhe me nacionalitete të tjera, në anën tjetër, pushtetarët, ishin orientuar për ngritjen e disa objekteve, për cka
Demaçi thoshte se pushteti ishte i detyruar ta bënte nën ndikimin e shqiptarëve dhe kompanive të tyre, sepse deri tashti asgjë nuk ishte bërë në zhvillimin ekonomik.
Në vitin 1958 Demaçi ka vazhduar të veprojë armiqësisht, kështu që ka dalë para shumë njerëzve, pra edhe para meje, kundër masave që pushtetarët jugosllavë po ndërmarrin në Kosmet, dhe ka përkrahur fushatën që vinte nga Shqipëria. Ai na fliste se si pushtetarët pengonin zhvillimin e kulturës nacionale shqiptare në gjuhën shqipe, për mbylljen e shkollave shqipe, për ndalimin e botimit të folklorit shqiptar, për mungesën e lirisë së të shkruarit, se njeriu nuk mund të shkruajë për atë që e sheh, mendon dhe ndien dhe se po bëhet presion në shqiptarët dhe, përgjithësisht, në jetën shoqërore e publike.
Në këtë vit, Demaçi, lidhur me situatën e keqësuar në botë, ka theksuar se nëse ndodh Lufta e Tretë Botërore, Shqipëria do të fitojë më se shumti – do të fitojë Kosmetin, ashtu siç e kishte gjatë luftës se kaluar, sepse në Luftën e Dytë Botërore ka fituar më së shumti Jugosllavia. E gjithë veprimtaria armiqësore e Demaçit në vitin 1958 ishte përqendruar në organizimin e propagandës që Kosmeti t’i bashkohej Shqipërisë. Me secilin njeri që e ka njohur, Demaçi, ka folur për çështjen e Kosmetit, për nevojën e bashkimit të tij me Shqipërinë e të tjera.
Më kujtohet që para meje dhe Shefqet Popovës, student i Shkollës së Lartë Pedagogjike në Prishtinë, Demaçi ka folur se si do të bënte jehonë të madhe sikur të bëhej atentat në Alesh Beblerin, i cili atë ditë ndodhej në Prishtinë. Ky diskutim e ka nxitur Shefqet Popovën, që të thotë, se Aleshin duhet goditur me revole në kokë. Demaçi, me atë rast, ka konstatuar se do të ishte mirë, për shkak se e gjithë bota do të thoshte se populli shqiptar po lufton për lirinë e tij.
Demaçi ka diskutuar shpeshherë për këto probleme edhe me Sylejman Drinin dhe Hajrullah Zymin, që të dy nëpunës në Sipërmarrjen “Rilindja”.
Tjetër nuk kam çka të them. Procesverbalin e kam lexuar dhe në të janë përfshirë fjalët e mia, prandaj e nënshkruaj.
U krye në orën 11 e 50 minuta. Procesmbajtës: Svetisllava Sllaviq. Dëshmitari: Shemsi Osmani.
Gjatë marrjes në pyetje të dëshmitarit Shemsi Osmani e kam dëgjuar deklaratën e tij për veprimtarinë time. Nuk e kam dëgjuar deklaratën e dhënë dhe procesverbalin e nënshkruaj.
I pandehuri: Adem Demaçi. Organi hetues i autorizuar: Momir Çanoviq
Demaçi na thoshte se pushteti po i shpërngul shqiptarët për në Turqi vetëm për arsye që në Kosmet të mbesin vetëm serbët
6. ISMET BYTYÇI
Dëshmitari i gjashtë, Ismet Bytyçi, para organit hetues më 18.12.1958 deklaron:
Të pandehurin Adem Demaçi e njoh qysh në vitin 1952, sepse kemi mësuar bashkë në Gjimnazin e Prishtinës. Pas mbarimit të gjimnazit jam takuar me Ademin gjatë vitit 1956, si dhe në vitet 1957 dhe 1958.
Diku në janar ose në shkurt të vitit 1956 jam takuar me Adem Demaçin në Prishtinë para Këshillit Popullor të Rrethit. Me këtë rast Demaçi para meje ka folur për humbjen e të drejtave të shqiptarëve në Kosmet, të garantuara me Kushtetutë. Si shembull ka përmendur mbylljen e shkollave shqipe, të cilat në të ardhmen, sigurisht se do të mbyllen të gjitha. Më ka thënë se pushteti këtë po i kryen në mënyrë shumë perfide me shpërnguljen e shqiptarëve për në Turqi nën firmën e demokracisë. Ai thoshte se pushteti po propagonte se për të gjithë ata që dëshirojnë të shpërngulen dera është e hapur, pra edhe për shqiptarët për në Turqi, dhe se për ne, shqiptarët, që mbesim këtu në Kosmet nuk ka jetë dhe këtu nuk kemi për kë të punojmë. Me ka thënë se është mirë që edhe në të shkojmë diku, pasi që njerëzit tanë po shpërnguleshin. Me atë rast ka shprehur brengosje për shpërnguljen për në Turqi. Më kujtohet se Demaçi me këte rast më ka thënë se pushteti po i shpërngul shqiptarët për në Turqi vetëm për arsye që në Kosmet të mbesin vetëm serbët. Gjithashtu, me atë rast Demaçi më ka thënë se pushteti po i maltreton shqiptarët me pretekstin e armëve me qëllim që t’i frikësojë dhe kështu t’i detyrojë që sa më shumë të shpërnguleshin për në Turqi. Më ka thënë, po ashtu, se arsyeja e dytë shpërnguljes së shqiptarëve për në Turqi është edhe frika nga kryengritin që do ta organizonin shqiptarët kundër pushetit jugosllav, në mënyrë në t’i fitonin të drejtat, të cilat nuk i kanë.
Në qershor të viti 1958 jam takuar me Demaçin në Prishtinë me rastin e ardhjes së Teatrit të kombësive të Shkupit në Prishtinë. Atë ditë kemi biseduar me Demaçin duke shëtitur në korzon para Teatrit në Prishtinë. Nuk ka qenë e mundur të diskutojmë, por Demaçi me ka këshilluar se duhet të punojë dhe t’i hapim sytë, sepse prej nesh populli shqiptar pret mjaft, dhe të tjera. Këshillën e Demaçit e kam kuptuar si vazhdimësi të asaj që më kishte thënë edhe më parë, domethënë të punoj kundër pushtetit, cili po vepron kundër shqiptarëve.
Me mua ka biseduar, shpesh, edhe Avdi Sinani nga fshati Gadime, tani student i mjekësisë në Shkup. Ai më ka folur për edhe për Adem Demaçin duke më thënë se ai është njeri i mirë, se është i mençur dhe shqiptar i mirë. Gjithmonë, para meje, e ka lavdëruar dhe popullarizuar. Avdiu më ka folur se Demaçi shkruan shumë bukur si shkrimtar dhe përmes veprave të tij alegorike e shpreh atë që mendon dhe në këte mënyrë ia përcjell ato popullit. Në lidhje me një tregim që e ka shkruar Demaçi, ai, ka biseduar me mua më se një orë. Demaçi më ka shpjeguar se si në atë tregim, përmes maces ka paraqitur ikjen e shqiptarëve nga Kosmeti, edhe pse ata e duan atdheun e tyre – Kosmetin. Në këtë tregim përshkruhet ndarja e maces nga shtëpia dhe kthimi i saj. Maceja vështirë e braktis shtëpinë, ashtu si edhe shqiptarët atdheun e tyre.
Nuk më kujtohet më shumë nëse Demaçi më ka thënë tjetër, pos asaj që deklarova.
Procesverbalin e kam lexuar dhe në të kanë hyrë të gjitha fjalët e mia, prandaj e vëretoj dhe e nënshkruaj.
U krye në orën 13 e 30 minuta. Procesmbajtës: A. Greveska. Organi hetues i autorizuar: Momo Çanoviq, Dëshmitari: Ismet Bytyçi ( nënshkrimi në qirilicë – HB).
Nesër do të lexoni: Çka dëshmuan kundër Demaçit miqtë e tij Mehmet Ahmeti, Ruzhdi Xhaferi e Adem Gajtani?