Republika Federale e Gjermanisë ka konfirmuar se më 6 janar ka pranuar një kërkesë nga ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, për lejimin e udhëtimit të shtetasve kosovarë me pasaporta të skaduara.
Në një përgjigje me shkrim për Paparacin të martën, Ambasada e Gjermanisë në Kosovë ka thënë se kërkesa e ministrit Sveçla është duke u shqyrtuar nga Ministria e Punëve të Brendshme e qeverisë gjermane.
Bashkëpunëtorët shprehen të tronditur me vdekjen tragjike të infermierit nga Istogu
“Ambasada Gjermane konfirmon se Qeveria Federale e ka pranuar kërkesën e përmendur më 6 janar 2023. Kërkesa aktualisht është duke u shqyrtuar nga Ministria Federale e Brendshme”, ka thënë një zëdhënës i Ambasadës së Gjermanisë në Prishtinë.
Gjermania ka thënë se kërkesa e Sveçlës është bërë lidhur me dy kategori të kosovarëve: për ata që kanë leje qëndrimi të vlefshme në Gjermani dhe për foshnjat që kanë lindur në Gjermani.
“Kërkesa e bërë nga ministri Sveçla kufizohet në lejimin e rihyrjes në Gjermani për shtetasit kosovarë që jetojnë në Gjermani me leje qëndrimi të vlefshme dhe foshnjat me shtetësi kosovare që kanë lindur në Gjermani dhe ende nuk u është lëshuar pasaporta e Kosovës”, ka thënë ky zëdhënës i ambasadës për Paparacin.
Më 7 janar, mediat në Kosovë kanë raportuar se ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i ka dërguar letër zyrtare shtetit të Gjermanisë me lutje që të lejojë udhëtimin e shtetasve kosovarë me pasaporta të skaduara deri në zgjidhjen e situatës.
Kosova po përballet me mungesë të materialeve për prodhimin e disa dokumenteve që nga muaji tetor i vitit të kaluar.
Së fundmi telashet më të mëdha kanë qenë me prodhimin e pasaportave, ndërsa muaj më parë, telashe pati edhe me prodhimin e letërnjoftimeve.
Ministria nuk u është përgjigjur pyetjeve lidhur me atë se a është bërë kjo kërkesë dhe a ka përgjigje nga shteti gjerman. Megjithatë, MPB-ja i tha Paparacit të martën se çështja e furnizimit me pasaporta do të marrë fund në përfundim të muajit janar. /Botapress.info/