Sabahudin Sijariq humbi jetën dje pasdite si pasojë e një aksidenti të rëndë në trafik në kilometrin e dhjetë të autostradës ‘Ibrahim Rugova’, saktësisht në Vërmicë, raporton Gazeta Sinjali.
I ndjeri përpos që ushtronte profesionin e infermierit, ishte edhe pronar i kompanisë ‘Swiss Plast’, që merret me prodhimin e dyerve dhe dritareve.
E të shokuar me vdekjen e tij janë shprehur bashkëpuntorët e Sijariq, të cilët shprehën ngushëllimet e tyre përmes postimeve në rrjete sociale.
“I tronditur nga ngjarja tragjike qe ndodhi sot në Autostraden Ibrahim Rugova ku humbi jetën një ndër bashkëpuntoret ma te dalluar te Kompanis tone Pronari i Firmes “Sëis Plast-shpk” fabrikes se dyerve dhe dritareve nga Istogu Sabahudin Sijaric njëherit edhe Infermier ne Spitalin regjional te Istogut”, shkruan biznesmeni, Minister Jusaj.
Sijariq po ashtu ishte kandidat për asamblenë komunale në Istog dhe garonte në listën zgjedhore të Partisë Demokratike të Kosovës.
![image 49](https://sinjali.com/wp-content/uploads/2023/01/image-49.png)
“I trishtueshëm lajmi për vdekjen tragjike të shokut, aktivistit tonë dhe punëtorit shëndetësor Sabahudin Sijaric! I’u shprehë ngushëllimet e mia më të sinqerta familjes, shokëve dhe bashkëpunëtorëve të tij!”, ka shkruar në Facebook, nënkryetari i Komunës së Istogut, Ali Nimanaj.
Reagim për vdekjen e tij pati edhe nga Oda e Infermierëve të Kosovës, të cilët u shprehën të prekur nga vdekja e hershme e Sijariq.
“Ai punoi me nder e respekt për pacientët deri në ditën kur humbi jetën tragjikisht në një aksident trafiku”, thuhet në njoftimin e OIK.
Kujtojmë se nga aksidenti i rëndë mbetën të lënduar edhe dy persona tjerë, të cilët u dërguan për trajtim mjekësor në Spitalin Rajonal në Prizren.