Deputeti i Kuvendit të Republikës së Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka reaguar pas deklaratës së ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffery Hovenier, se nuk është koha për njohje nga Serbia.
Përmes një postimi në faqen e tij zyrtare në rrjetin social Facebook, Hoti ka thënë se qeveritarët duhet t’i tregojnë popullit se ku e kanë katandisur punën, që sipas tij aleati kryesor i Kosovës të lëshojë këso deklarata.
“Qeveritarët duhet t’i tregojnë popullit ku e kanë katandisur punën që e ka shtyrë SHBA-në — aleatin kryesor Kosovës — të deklarojë se nuk është koha për njohje nga Serbia. Çfarë ka ndodhur në marrëdhëniet e Kosovës me SHBA-në që njohja reciproke nuk është më në qendër?!”, shkroi ai.
Ndryshe në një intervistë për gazetarin, Tim Judah, ambasadori Hovenier është shprehur skeptik se në këtë kohë, pas tensioneve të fundit në veri, Serbia mund ta njohë Kosovën.
“Ai më tregoi se, përderisa qëllimi i fundëm ishte njohja reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, “e cila për fat të keq tani nuk është e mundur, sfidat e sotme ende mund të tejkalohen””, rrëfen Judah, duke parafrazuar dhe cituar ambasadorin Hovenier.
Hovenier ka thënë se marrëveshja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mund të jetë hap i përkohshëm drejt njohjes mes Kosovës dhe Serbisë si dy shtete të pavarura.
“Nëse e shihni këtë marrëveshje, këtë angazhim si një hap të përkohshëm drejt saj… ka mundësi reale”, ka thënë Hovenier./Botapress.info/