Tragjeditë familjare, dyshimet për tradhti, abuzimi me alkoolin e bixhozin dhe xhelozia bëhen shpesh shkaktarë të dhunës që përjetojnë gratë në Kosovë nga partnerët e tyre. Pothuajse çdo ditë raportohen dhjetëra raste të dhunës në familje, ku viktima janë më së shpeshti vajzat dhe gratë. Në 24 orët e fundit janë denoncuar shumë ngjarje të tilla, për të cilat Sinjali ka mësuar detaje.
Fillimisht në një familje në rrugën “Hermine Lekaj” në Prishtinë, një burrë bashkë me të bijën po dyshohet se kanë ushtruar dhunë ndaj gruas/nënës pas një mosmarrëveshje që kanë pasur mes vete. Zënka mes tyre eskaloi në dhunë fizike, për çka viktima kërkoi ndihmën e Policisë. Babë e bijë përfunduan në stacion, ku e kanë mohuar se kanë ushtruar dhunë, duke deklaruar se kanë pasur vetëm konflikt verbal.
Edhe në Prizren, pas mesnate, Policia ka intervenuar në fshatin Piranë, ku një grua ka kërkuar ndihmë pasi dyshohet se e kishte sulmuar fizikisht bashkëshorti i saj, duke i shkaktuar lëndime trupore. Sipas viktimës, i dyshuari që një kohë i shkakton dhunë dhe dyshohet se shkak është alkooli. Edhe në rastin e fundit, i njëjti ka qenë nën ndikimin e alkoolit kur e ka rrahur gruan. Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor.
Në kryeqytet është raportuar edhe një rast tjetër, ku po ashtu edhe këtë herë një burrë ka sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij. Motiv i rastit dyshohet të jetë një mosmarrëveshje momentale që i futi në sherr çiftin dhe për pasojë përfunduan në Polici./Botapress.info/