Dy njerëz të afërt me Ardita Sinanin, ish-kryetaren e Komunës së Preshevës dhe këshilltares së kryeministrit Albin Kurti, kanë përfituar direkt nga fondi i Qeverisë së Kosovës për Luginën.
Gani Veseli, anëtar i Partisë për Veprim Demokratik (PVD) dhe Donika Behluli, bashkëshortja e Fatos Hysenit, ish-anëtarit të Kabinetit të Ardita Sinanit, kanë përfituar rreth 100 mijë euro bashkërisht nga projekte të mbështetura financiarisht nga Qeveria e Kosovës.
Qeveria e Kosovës i ka ndarë javën e kaluar, në një mbledhje të kabinetit qeveritar më 23 dhjetor, 1.2 milionë euro për Luginën e Preshevës. Mjetet i janë ndarë Këshillit Nacional Shqiptar dhe përfaqësuesve të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit.
Fondi është vënë në dispozicion për mbështetjen financiare të studentëve, OJQ-ve dhe artistëve nga Lugina e Preshevës.
Përzgjedhja e projekteve për përfitimin e mbështetjes financiare nga fondi, është bërë nga një komision i përbërë nga tre anëtarë. Dy anëtarë janë caktuar me aprovimin e Këshillit Nacional Shqiptar në Luginë dhe një anëtar është deleguar nga Qeveria e Kosovës.
Konkursi për financimin e projekteve të Organizatave jo-qeveritare dhe shoqatave kulturore e sportive është hapur më 1 tetor, por planifikimi i njerëzve të Ardita Sinanit për përfitimin e projekteve të financuara nga Qeveria e Kosovës ishte kryer para kësaj date.
Ish-drejtori i Kulturës në kabinetin e Ardita Sinanit, ish-kryetares së Preshevës, rezulton se e kishte hapur një organizatë jo-qeveritare një ditë para hapjes së thirrjes për aplikim.
Disa javë më vonë, fondacioni i udhëhequr nga Gani Veseli është përzgjedhur fitues i një projekti në vlerë prej 50 mijë eurove për “kultivime të tregimeve”, raporton Paparaci.
![](https://paparaci.com/wp-content/uploads/2022/12/aplikimi2.jpg)
Një projekt në vlerë prej mijëra eurove e ka përfituar edhe Qendra për Inovacion Lugina 2022, një Organizatë jo-qeveritare e lidhur me njerëzit partiakë të Partisë për Veprim Demokratik të Ardita Sinanit.
Sipas dëshmive që ka siguruar Paparaci, Qendra për Inovacion Lugina 2022 drejtohet nga Donika Behluli, bashkëshortja e Fatos Hysenit, ish-anëtarit të kabinetit të ish-kryetares së Preshevës.
Përmes një projekti inovativ, fondacioni i bashkëshortes së bashkëpunëtorit të Ardita Sinanit ka përfituar saktësisht 41 mijë euro.
![](https://paparaci.com/wp-content/uploads/2022/12/grgfgf.jpg)
Qendra për Invoacion Lugina 2022, sipas të dhënave të prezantuara në agjencitë qeveritare në Serbi, figuron të jetë themeluar si OJQ më 14 tetor, në kohën kur ende ndodhej e hapur thirrja për aplikim në projektet e financuara nga Qeveria e Kosovës.
![](https://paparaci.com/wp-content/uploads/2022/12/aplikimi1.jpg)
Të dhënat të cilat i ka siguruar Paparaci dëshmojnë se pesë mijë euro nga fondi i qeverisë do të shkojnë në mbështetje të një projekti për xhirimin e një dasme në “Rrafshnaltën e Peshterit”. Këtë projekt e ka përfituar një Organizatë jo-qeveritare nga Gjilani, në bashkëpunim me një shoqatë nga Novi Pazari.
Ardita Sinani është emëruar këshilltare politike për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc në Zyrën e Kryeministrit Albin Kurti, në muajin shkurt të këtij viti.
Emërimi i Sinanit si këshilltare e kryeministrit Kurti, siç kishte njoftuar qeveria, përbënte hapin e parë drejt themelimit të Zyrës për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, në kuadër të Zyrës së Kryeministrit.
![](https://paparaci.com/wp-content/uploads/2022/12/rtr.jpg)
Qeveria e Kosovës ka ndarë ndihma financiare disa herë për shqiptarët që jetojnë në Luginën e Preshevës në territorin e Serbisë.
Sinani, nënkryetarja e Partisë për Veprim Demokratik, është e para grua politikane në Luginën e Preshevës dhe ka qenë po ashtu edhe kryetare e Preshevës.