Ka reaguar edhe kryediplomati i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës.
Borrell ka falenderuar edhe presidentin Vuçiq por edhe kryeministrin Kurti për “lidershipin e përgjegjshëm” duke lënë të nënkuptohet se ai ka qenë i përfshirë në procesin e shtensionimit të situatës.
Kurti u duk i habitur dje kur iu komunika lajmi nga një gazetare se ishte liruar në arrest shtëpiak ish-zyrtari policor Dejan Pantiq. Ai ishte kurreshtar të mësonte edhe emrin e prokurorit dhe gjyqtarit, çka rezultoi në një fushatë linçimesh nga ana e aktivistëve të tij ndaj tyre.
Borrell u shpreh se “diplomacia mbizotëroi” për këtë rast derisa pati falenderime për BE-në, ShBA-në e KFOR-in në veçanti me anë të një reagimi në Twitter.
Qeveria e Kosovës e ka mohuar se ka qenë e përfshirë në ndonjë dialog sa i përket çështjes së lirimit në arrest shtëpiak të z. Dejan Pantiq. Barrikadat ishin vendosur pikërisht pas arrestimit të këtij të fundit.
Statusi i plotë i kryediplomatit Borell:
“Diplomacia mbizotëroi në de-eskalimin e tensioneve në veri të Kosovës. Dhuna kurrë nuk mund të jetë zgjidhje. E mirëpresim lidershipin e përgjegjshëm të presidentit Vuçiq dhe kryeministrit Kurti.
Punë e madhe ekipore e BE-së, ShBA-ve dhe KFOR-it. Falemnderit për të gjithë të përfshirët. Na duhet tash progres urgjent në dialog.”