Pas një takimi të Këshillit të Sigurisë të Kosovës, të mbajtur të hënën, Zyra e Kryeministrit theksoi se Qeveria e Kosovës është ende “në pritje të veprimeve nga KFOR-i” për heqjen e barrikadave.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka mbajtur takim të Këshillit të Sigurisë të Kosovës lidhur me situatën në veri, në ditën e 17-të që nga ngritja e barrikadave në atë pjesë.
Grenell fajëson Kosovën për veriun, i propozon Blinkenit kërkesa konkrete për Kurtin
Barrikadat u ngritën në shenjë proteste nga disa serbë lokalë pas arrestimit të ish-pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq – i akuzuar për sulmin në zyrat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Në komunikatën për media thuhet se gjatë këtyre 17 ditëve, Qeveria e Kosovës “ka pasur komunikim të vazhdueshëm me KFOR-in” dhe përsëritet se edhe pse “Policia e Kosovës i ka të gjitha kapacitetet dhe gatishmërinë për të vepruar”, qeveria është në pritje të KFOR-it.
“Qeveria dhe institucionet e Republikës së Kosovës nuk mund të dialogojnë me banda kriminale, ndërsa u potencua se liria e lëvizjes duhet të rivendoset dhe se nuk duhet të ketë barrikada në asnjë rrugë”, u tha në njoftim.
Ndërsa më 22 dhjetor, ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se nëse KFOR-i nuk vepron, Kosova do t’i heq barrikadat.
Në të njëjtën ditë, kreu i Listës Serbe, Goran Rakiq, paraqiti kushtet për heqjen e barrikadave gjatë një proteste në Rudarë. Ai kërkoi që paraprakisht të lirohen serbët e arrestuar, të tërhiqen “listat sekrete për arrestimin dhe pushkatimin e serbëve” dhe të tërhiqen njësitë speciale të Policisë së Kosovës nga veriu.
Për 17 ditë me radhë, rrugët që çojnë drejt pikave kufitare Jarinjë dhe Bërnjak – që lidhin Kosovën me Serbinë – janë të bllokuara nga barrikadat e ngritur nga disa serbë lokalë.