Avokati i Popullit, Naim Qelaj, ka konfirmuar se kanë nisur hetimet lidhur me vrasjen makabre të Hamide Magashit, e cila u vra nga bashkëshorti i saj në oborrin e Klinikës së Gjinekologjisë në Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë më 30 nëntor një ditë para se të sillte në jetë fëmijën e saj, raporton Gazeta Sinjali.
Qelaj në konferencën me gazetarë ka bërë me dije se pas hetimeve do të bëjnë publik një raport të detajuar.
“Më duhet të i’u informojë ju dhe publikun se ne kemi filluar hetimin për rastin e vrasjes në QKUK. Pas përfundimit të hetimit do të dalim me një raport me rekomandime”.
Kujtojmë se Hamide Magashi e cila ishte në javën e 41-të të shtatzënisë dhe po priste të sillte në jetë një djalë, u ekzekutua me armë zjarri nga ish bashkëshorti i saj, Sokol Halili, 31-vjeçar, i cili me të kryer veprën ishte larguar në drejtim të panjohur me veturën e tij.
Sokoli u gjet 2 ditë më vonë në shtëpinë e tij në Shtime, mirëpo i njëjti refuzoi t’u dorëzohej autoriteteve dhe ka vrarë veten.