Janë bërë rrafsh 70 ditë që dikasteri i shëndetësisë është pa ministër.
Drejtimin e kësaj ministrie nga 7 tetori e ka Dafina Gexha-Bunjaku si ushtruese e detyrës, pas dorëheqjes së Rifat Latifit.
Për deputetin opozitar dhe ish-ministrin e Shëndetësisë Armend Zemaj, kjo situatë po konsiderohet si papërgjegjësi politike.
Gjendja në këtë sektor sipas tij është degraduar edhe më shumë përkundër problemeve të shumta që i ka pasur kjo lëmi.
“Tash lufta e grupeve të ndryshme, lufta e grupreve të interesit brenda kësaj mazhorance, është duke e dëmtuar rëndë sektorin e shëndetësisë, edhe ashtu me shumë probleme, me shumë të meta, me shumë nevoja. Por, kjo qasje, tash e quajtur edhe destructive, luftë klanesh, ka kaluar në degradim të plotë të këtij sektori”, ka deklaruar Zemaj.
Mirëpo edhe një institucion tjetër vartës po kaq i rëndësishëm, ShSKUK-ja udhëhiqet me ushtruese të detyrës tash e katër muaj.
Madje nuk dihet se kur bordi do ta shpallë konkursin për këtë pozitë zyrtare.
Veçse në kohën kur Valbon Krasniqi ishte zgjedhur drejtor me mandat trevjeçar, procedurat e rekrutimit kishin zgjatur tre muaj.
Deputeti Zemaj thekson se në këtë sektor nuk ka dialog të mirëfilltë dhe se ka kaos institucional, derisa për ta mbuluar këtë ai ri-kujton se për këtë qëllim ishte formuar edhe Komision Ekzekutiv i Shëndetësisë por pa asnjë rezultat deri më tani.
“Asnjë hallkë nuk i përgjigjet hallkës tjetër. Për këtë arsye ishte edhe tendenca për të mbuluar me Komisionin Ekzekutiv nga Kryeministri, dështimin e deriatëhershëm”, ka deklaruar ish-ministri për Klan Kosova.
Edhe Fondi i Sigurimeve Shëndetësore, Inspektorati, Agjencia për Produkte dhe Pajisje Mjekësore në udhëheqje kanë ushtrues detyre.