Rasti i 11-vjeçares nga Prishtina e cila dyshohet se në fund të muajit gusht u dhunua seksualisht nga pesë persona, pati tronditur gjithë vendin. Pesë të dyshuarit, prej tyre tre të mitur, kanë rënë në prangat e Policisë dhe ndodhen nën masën e paraburgimit, raporton Gazeta Sinjali.
E këtë muaj pritet të fillojë gjyqi për dy të dyshuarit të moshës madhore, Ekrem Rexhepi dhe Shkëlqim Kameri.
Sipas zëdhënëses së Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi, seanca e shqyrtimit fillestar për Rexhepin dhe Kamerin është caktuar për datën 22 dhjetor në orën 13:00.
Rasti i 11-vjeçares, e cila dyshohet se ka qenë viktimë e dhunës seksuale edhe gjatë muajit qershor, po hetohet ndaras nga rasti i datës më 27 gusht.
Blendin Sadiku, Gezim Sadiku, Driton Rrahmani, Muhamet Restelica, Flamur Sadiku dhe Muhamet Sadiku dyshohen se kanë keqpërdorur seksualisht 11-vjeçaren dhe kanë kryer veprat penale “Trafikimi me njerëz”, ”Shërbimet seksuale të viktimës së trafikimit” dhe “Dhunimi”.
Ndërkaq, lidhur me rastin janë shkarkuar edhe dy drejtorë të Policisë.
Nga pozita e drejtorit të Policisë rajonale të Prishtinës është larguar Fahredin Verbovci ndërkaq, Shkëlzen Xhafa nga ajo e Shefit të Operativës për kryeqytet.
Ndërsa, për shkarkimet e tyre, njoftimi u bë nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, edhe pse shkarkimet bëhen nga menaxhmenti i Policisë.
Kreu i Qeverisë ka thënë se përgjegjësi duhet të mbajnë edhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) e Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK).
Po ashtu, dorëheqje nga pozita e drejtorit të Policisë së Kosovës pati dhënë Samedin Mehmeti.
Ndërsa, për të dyja rastet të dyshuar janë 12 persona, tashmë të gjithë të arrestuar.
Si ndodhi ngjarja?
Kjo ngjarje e tmerrshme ka ndodhur fillimisht në parkun e Dragodanit në Prishtinë, për të vazhduar më pas në një lokacion tjetër të panjohur.
Ekrem Rexhepi dhe vëllai i tij i mitur, G.Rexhepi, Xh.S., G.J., dhe Shkelqim Kameri, dyshohen se kanë keqtrajtuar seksualisht për rreth shtatë orë një 11-vjeçare.
Sipas dyshimeve të para, fillimisht tre të miturit, G.R., Xh.S. dhe G.J., dhunuan vajzën e mitur, në lagjen Arbëria në Prishtinë, për të shkuar më pas aty edhe 26-vjeçari Ekrem Rexhepi, të cilin e ka thirrur vëllai i tij, G.Rexhepi.
Ekremi po dyshohet se ka shkuar deri aty me veturën e tij ‘PickUp’ dhe e ka marrë vëllain dhe dy të miturit e tjerë të dyshuar bashkë me vajzën që po përjetonte tmerrin. Rrugës, te varrezat dyshohet se ka zbritur G.Rexhepi dhe i mituri Xh.S, ndërsa me Ekremin kishte vazhduar i mituri tjetër G.J.
Ata u larguan nga ai vend për një lokacion tjetër, ku pas një periudhe të shkurtër, Ekremi dyshohet se ka ndaluar veturën dhe e ka dhunuar vajzën e mitur. Për të mos mbaruar me kaq kjo ngjarje makabre, Ekremi dyshohet se më pas e ka thirrur edhe Shkelqimin.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata./Botapress.info/