Një fenomen mjaft shqetësues për qytetarët e Kosovës janë bërë vjedhjet e shpeshta nëpër shtëpi, që po shkaktojnë ankth e pasiguri, sidomos kur shtëpitë mbesin pa përkujdesje. Kështu e ka pësuar edhe një familje në Begracë të Kaçanikut, ku hajnat kanë bërë kërdi.
Gazeta mëson se rasti ka ndodhur të shtunën, kur hajnat ia kanë mësyrë shtëpisë së një mërgimtari nga Amerika, ku kanë hyrë me forcë dhe kanë arritur që të marrin kasafortën në të cilën kishte stoli të ndryshme, që kapin vlerën e mbi 38 mijë eurove.
Mungesën e parave e ka vërejtur pronari i shtëpisë i cili menjëherë ka denoncuar rastin në Polici, ku ndër të tjera ka bërë të ditur se përveç gjësendeve me vlerë, hajnat ia kanë marrë edhe pasaportën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Si rezultat i denoncimit, njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes ku kanë kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit dhe në identifikimin e personave të dyshuar.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar ‘Vjedhje e rëndë’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren posa të kapen të dyshuarit.