Pjesëtari i Policisë së Kosovës, Ekrem Neziri, u plagos mbrëmë me armë zjarri teksa ishte në krye të detyrës duke patrulluar në fshatin Serbovc të Zveçanit. Neziri i cili u plagos në krah dhe në nofull, u dërgua me urgjencë në Emergjencën e Spitalit Rajonal në Mitrovicë.
Për shkak të gjendjes së tij shëndetësore, ai është transferuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ku i është nënshtruar një intervenimi kirurgjik në Klinikën e Kirurgjisë Torakale.
E dërgoi veturën në autolarje, 30-vjeçarit në Has ia vjedhin pesëlirëshin e arit
Mjeku Alban Shabani, ka publikuar në llogarinë e tij në Facebook një fotografi ku shihet bashkë me Nezirin i cili po qëndron i shtrirë në spital.
“Shoku jem ashtu siç je plotë vullnet e forcë për ti shërbyer vendit ashtu i perballove edhe plumbave të armikut! Ne jemi afer teje tani ne këto momente sikur ti që je çdo ditë në mbrojtje të vendit e qytetarëve! Zoti i ruajt policinë e Kosovës”, shkruan në postimin e tij Shabani.
Ndryshe lidhur me gjendjen shëndetësore të policit, është deklaruar edhe drejtori i Klinikës, Nazmi Kolgeci.
Kolgeci në një prononcim për Sinjalin tha se operacioni ka përfunduar me sukses dhe gjendja shëndetësore e policit është e mirë.
“Gjendja është e mirë, e kemi hekë një pjesë metalike në krahun e majtë” tha Kolgeci.
Kujtojmë se pjesëtarët e Policisë së Kosovës të cilët po patrullojnë në komunat veriore të banuara me shumicë serbe, mbrëmë kanë qenë cak i një sulmi të armatosur.
Përmes një komunikate për media, Policia ka bërë me dije se rreth orës 23:00 në fshatin Serbovc të Zveçanit, persona të armatosur me armë të gjata, nga një automjet me targa KM, kanë shtënë në drejtim të zyrtarëve policorë.
“Sot me datë 08.12.2022, rreth orës 23:00, në fshatin Serbovc, Komuna e Zveçanit, Njësitet policore deri sa kanë qenë në detyra të rregullta, në patrullim, janë sulmuar nga persona të armatosur me armë të gjata, nga një automjet i tipit Audi, ngjyrë hiri, me targa KM”, thuhet në njoftim.
Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Vrasje e rëndë në tentativë’ dhe janë marrë të gjitha veprimet hetimore që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit dhe identifikimin e personave të dyshuar. /Botapress.info/