Me moton “As edhe një më shumë!”, më 25 nëntor ka nisur fushata “16 Ditët e aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore”. Kjo fushatë filloi pikërisht në ditën kur u vra një grua nga bashkëshorti i saj në Prishtinë. Gjatë kësaj periudhe ndodhi edhe vrasja makabre e gruas shtatzënë nga ish-burri i saj.
Pavarësisht rasteve të tmerrshme, dhuna në familjet kosovare nuk po ka të ndalur. Viktimat më të shpeshta po vazhdojnë të jenë gratë, të cilat po përjetojnë në vazhdimësi dhunë psikike e fizike nga bashkëshortët. Vetëm në 24 orët e fundit janë raportuar 12 raste të dhunës në familje, për disa prej të cilave Sinjali ka mësuar detaje.
Fillimisht në Prizren, një grua e ka denoncuar bashkëshortin e saj për dhunë në familje, pasi i njëjti dyshohet se e kishte sulmuar fizikisht, duke i shkaktuar lëndime trupore. Kjo kishte ndodhur për një kohë të caktuar, me ç’rast viktima vendosi të largohej nga shtëpia dhe shkoi te familja e saj. Por as gjatë kësaj periudhe i dyshuari nuk e ka lënë rehat, çka e shtyu atë që ta raportojë rastin.
Gjatë këtyre 24 orëve, një rast tjetër është raportuar në njërin nga stacionet policore në Prishtinë, ku një grua ka vendosur të kërkojë ndihmë nga Policia, pas është viktimë e dhunës së ushtruar nga bashkëshorti i saj për rreth 1 vit. Para hetuesve policorë, viktima ka rrëfyer për të gjitha rastet e dhunës që kanë ndodhur në shtëpinë e tyre. Si rezultat i denoncimit, Policia e ka arrestuar të dyshuarin dhe i njëjti është dërguar në mbajtje për 48 orë.
Dhunë ka pasur edhe në një familje në Gurrakoc të Istogut, por këtë herë një grua ka përjetuar dhunë nga babai i bashkëshortit, vjehrri i saj, i cili dyshohet se sistematikisht ka ushtruar dhunë ndaj saj. Për të mos mbaruar me kaq, ai dyshohet se i ka kërkuar të birit që të ndahet nga gruaja vetëm se nuk e ka përgatitur darkën. Por kjo i kushtoi atij me arrestim dhe ndalim policor. I moshuari është dërguar në qendrën e mbajtjes, nën dyshimet për veprën penale “Dhunë në familje”.
Ndërsa në dy raste të tjera, viktima kanë qenë familjarët e tjerë, siç ka ndodhur në rrugën “Sheshi i Arbërit” në Prishtinë dhe në Kaçanik. /Botapress.info/