Ndihmësadministratorja për Evropë dhe Euroazi në USAID, Erin E. McKee, ka thënë se është impresionuar nga vullneti politik i Qeverisë për të ndërtuar institucione të forta demokratike dhe përkushtimi për të luftuar korrupsionin.
“Kosova më impresionon jashtëzakonisht. Dhe atë për shumë arsye: nën një, ju keni vullnet politik të qeverisë suaj për të ndërtuar institucione të forta demokratike. Kam parë përkushtim dhe demonstrim të palëkundur për llogaridhënie, transparencë, që është në zemër të luftës kundër korrupsionit. Dhe siç e dimë, korrupsioni është një nga elementet më gërryese për të minuar një demokraci stabile”, ka theksuar McKee në emisionin “Interaktiv” të KTV-së.
Ajo ka theksuar se në këtë aspekt po i referohet Kosovës në përgjithësi dhe jo vetëm Qeverisë.
“Çfarë shoh në Kosovë më jep shpresë të madhe. E shoh që po ndërmerren hapa të fortë për të luftuar korrupsionin, për t’i institucionalizuar elementet që janë kyçe në luftën kundër korrupsionit. Shoqëria civile, media e lirë dhe e pavarur, një gjyqësor i fortë, e po ashtu respektim të sundimit të Ligjit, që është i rëndësishëm jo vetëm për luftën kundër korrupsionit, por edhe për të tërhequr investimet dhe biznesin që është shumë i nevojshëm për të ardhmen e vendit”, ka deklaruar McKee.