Pas publikimit të aktgjykimit të plotë të Gjykatës Kushtetuese, deputetët e Kuvendit të Kosovës vazhduan sot seancën për konstituimin e tij. Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, theksoi se sipas aktgjykimit, votimi për kryeparlamentar do të jetë i hapur.
Lëvizja Vetëvendosje (VV) propozoi dy kandidatë të ndryshëm për kryeparlamentar, por në të dy rastet rezultati ishte i njëjtë: 57 vota për, 56 kundër dhe 3 abstenime.
Fillimisht, Glauk Konjufca njoftoi se partia e tij propozon Albulena Haxhiun për kryeparlamentare. Në votimin e hapur, Haxhiu, ministre në detyrë e Drejtësisë, nuk arriti të marrë shumicën e votave, ashtu si në seancat paraprake.
Më pas, Konjufca propozoi Donika Gërvallën, një lëvizje që shkaktoi të qeshura në mesin e deputetëve që mandatin e kaluar ishin në opozitë. “Mos qeshni, por votojeni”, tha Konjufca. Megjithatë, as ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Gërvalla, nuk arriti shumicën.
Pas seancës, Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, deklaroi se deputetët e partisë së tij do të japin votën për kryeparlamentar vetëm nëse propozohet një kandidat që nuk ka qenë pjesë e Qeverisë Kurti. Krasniqi shtoi se qëndrimi i PDK-së mbetet i pandryshuar:
“Neve na është pamundësuar votimi prej atëherë, por për fat të mirë morën fund sot pas aktgjykimit të Kushtetueses. Ne erdhëm sot me shpresën se Lëvizja Vetëvendosje do të rezonojë arsyeshëm dhe do të propozojë kandidat që do të votohej. Megjithatë, ata dolën me dy propozime ndryshe nga herët e kaluara kur kanë propozuar vetëm një. Nuk e di me çfarë logjike e mbylli Dehari seancën, kanë mundur t’i propozojnë edhe të tjerët sot. Megjithatë mund të themi se kemi një rikthim nga pika që nuk është dashur të largohemi asnjëherë.”
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, tha se thelbi i problemit qëndron te Vetëvendosje, e cila nuk ka numra të mjaftueshëm dhe refuzon kompromisin me partitë tjera. Sipas tij, LDK-ja nuk është pjesë e ndonjë marrëveshjeje dhe nuk mund të mbështesë kandidatë pa marrëveshje politike:
“Është e qartë se thelbi problemi ka qenë tek shumica parlamentare, përkatësisht mungesa e kësaj shumice. Siç u pa, përveç që kishim humbur 48 seanca rresht për shkak të shkeljes kushtetuese, tani të konfirmuar dy herë. Ne kemi në thelb të problemit mungesën e shumicës politike. Pra, nuk ka numra, partia që ka dalë e para në këto zgjedhje refuzon të bëjë kompromis me partitë e tjera. Rrjedhimisht, bën bllokada institucionale. Qëndrimet e LDK-së nga dita e parë deri më sot edhe deri në ditën tjetër, do të mbesin të njëjta e të pandryshueshme.”
Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, kritikoi Vetëvendosjen, duke thënë se me propozimin e Donika Gërvallës pas Albulena Haxhiut, partia qëllimisht propozon figura që nuk votohen:
“Kushtetuesja e konstatoi atë që e kemi thënë në vazhdimësi. Ata e kanë ditë që Haxhiu nuk ka votë, sërish e propozuan. Ne i kemi ofruar alternativat që nuk i kanë pranuar dhe qëllimshëm po propozojnë kandidatë që nuk e marrin shumicën e votave.”
Deputetja e VV-së, Albulena Haxhiu, pas dështimit të zgjedhjes së saj dhe të Gërvallës, tha se problemi nuk ishte emri i saj, por refuzimi i opozitës për të bashkëpunuar me VV-në:
“Propozimi i dytë i Vetëvendosjes ishte Donika Gërvalla dhe ne nuk e propozuam vetëm rastësisht. Donika Gërvalla së pari është gruaja e dytë më e votuar në zgjedhjet e 9 shkurtit dhe besoj që kjo duhet të ketë rëndësi për të gjithë, sepse janë votat e qytetarëve që kanë përcaktuar këtë rezultat. Është zëvendëskryeministre, është person jashtëzakonisht i rëndësishëm, sepse me Donikën ne kemi pasur një partneritet të shkëlqyer. Mirëpo, opozita nuk dëshiron të ndryshojë qëndrimin. Besoj që kurdo që ndodhin zgjedhjet e jashtëzakonshme do ta marrin goditjen e qytetarëve të Kosovës. Besoj që sot jeni bindur që nuk ka qenë problem emri im. Problemi është me VV-në, pra opozita bashkë me Listën Serbe, sepse sot edhe një herë u dëshmua që PDK, LDK, AAK, Lista Serbe janë bashkë.”
Nisma Socialdemokrate njoftoi se do të abstenojë dhe nuk do të japë votë pa arritur një marrëveshje politike.
Deputetja e VV-së, Shqipe Selimi-Mehmeti, nuk votoi Donika Gërvallën dhe nuk mori pjesë fare në procesin e votimit. Pamjet nga seanca tregojnë se ajo nuk i ka shikuar kolegët e saj gjatë votimit. Arsyet nuk dihen, por më herët Gërvalla e kishte akuzuar ashpër bashkëshortin e Selimit, Rexhep Selimin, duke e quajtur figurë të botës së krimit:
Vazhdimi i seancës u caktua për të premten, më 22 gusht.
Të tjera
Showbiz
Xheneta “ndez” Spanjë, fotot me bikini po çmendin rrjetin
Influencerja e njohur Xheneta Fetahu po
Aktuale
“Solla paqen mes Azerbajxhanit dhe Shqipërisë”, Trump nuk i ndal lapsuset gjeografike
Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald
Aktuale
U raportua e zhdukur nga djali – gruaja nga Fushë Kosova gjendet pas dy muajsh tek i dashuri në Shkup
Një rast i raportuar si “person