Natë e tensionuar mbrëmë në Serbi: Policia hodhi gaz lotsjellës dhe tym ndaj protestuesve

Qytetarët dhe studentët në Serbi kanë vazhduar protestat për të gjashtën natë me radhë si reagim ndaj brutalitetit policor, duke marshuar nën moton “Ku kishim mbetur?”.

Natën e kaluar, situata në Beograd ka qenë jashtëzakonisht e tensionuar. Janë thyer zyrat e partisë SNS (Partia Progresive Serbe), pas së cilës policia ka përdorur forcë, duke hedhur gaz lotsjellës dhe bomba tymuese ndaj protestuesve. Në disa zona të qytetit janë djegur edhe kontejnerë, ndërsa mediat serbe raportojnë për disa të arrestuar.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka dalë para zyrave të shkatërruara të SNS në lagjen Palilula, ku iu është drejtuar opinionit publik dhe protestuesve me mesazhin: “Do t’i ndjekim më fort”.

“Nuk është kjo një aksion i lehtë dhe i shpejtë, por do t’i ndjekim më shpejt, më fort dhe më shumë. Për këtë e kemi njoftuar opinionin. Nuk do të pyesim askënd nga jashtë. Do të vendosim rend në vendin tonë dhe do t’i çlirojmë qytetarët nga terrori dhe e keqja”, deklaroi Vuçiq.

Ndërkohë, forcat e xhandarmërisë kanë shtyrë protestuesit në disa lokacione të ndryshme në Beograd.

Protesta ka pasur edhe në qytetin e Novi Pazarit, ku studentë dhe qytetarë kanë bllokuar rrugën magjistrale drejt Malit të Zi, në shenjë solidariteti me protestuesit e rrahur dhe të arrestuar në qytete të tjera të Serbisë.

Të tjera