Gjykata Kushtetuese e ka arsyetuar vendimin që emri i një kandidati apo kandidatjeje për kryetar/e të Kuvendit të hidhet në votim deri në tri herë.
Kushtetuesja sot publikoi aktgjykimin e plotë, në arsyetimin e të cilit përmendet edhe kjo çështje.
Gjykata thotë se propozimi i vazhdueshëm për votimin e një kandidati apo kandidateje të njëjtë për kryeparlamentar/e nuk duhet ta bllokojë Kuvendin dhe ta pamundësojë arritjen e shumicës së votave të nevojshme (61).
“Në këtë kontekst, Gjykata konsideron që propozimi i vazhdueshëm për votim të kandidatit/es së njëjtë për Kryetar/e të Kuvendit nga ana e grupit më të madh parlamentar nuk duhet të shërbejë si mekanizëm i bllokimit që do të pamundësonte arritjen e shumicës së votave të të gjithë deputetëve. Për këtë qëllim, Gjykata vlerëson që përcaktimi i një mekanizmi debllokues për propozimin e kandidati/es për Kryetar/e të Kuvendit konsiderohet si i domosdoshëm dhe në mënyrë thelbësore do t’i shërbente përmbushjes së detyrimit kushtetues për konstituimin e Kuvendit dhe fillimin e funksionimit të tij si organ përfaqësuesi i sovranit. Në dritën e këtij elaborimi, Gjykata vlerëson që në rast të dështimit të arritjes së shumicës së votave të të gjithë deputetëve për zgjedhjen e Kryetarit/es të Kuvendit, votimi i kandidatit/es të propozuar për Kryetar/e të Kuvendit mund të realizohet vetëm deri në 3 (tre) herë për kandidatin/en e njëjtë”, thuhet në arsyetimin e Kushtetueses.
Këtë, Kushtetuesja tha se e bazon në “frymën e Kushtetutës për zgjedhjen e krerëve të institucioneve”.
“Rrjedhimisht, Gjykata, si autoritet përfundimtar për interpretim të Kushtetutës, bazuar në rrethanat e rastit konkret dhe marrë për bazë që Seanca Konstituive e Kuvendit edhe pas përfundimit të afatit 30 (tridhjetë) ditor të përcaktuar me Kushtetutë nuk ka përfunduar, konstaton që votimi i një kandidati/eje të njëjtë për Kryetar/e të Kuvendit nuk mund të realizohet më shumë se 3 (tre) herë. Kufizimi në 3 (tre) raunde votimi për të njëjtin kandidat, duke u bazuar në frymën e Kushtetutës dhe zgjedhjen e krerëve të institucioneve, është mekanizëm mbrojtës që siguron që vullneti i qytetarëve i shprehur përmes zgjedhjeve parlamentare të mos manifestohet në një boshllëk institucional shtetëror, por të jetësohet përmes konstituimit të Kuvendit si ushtrues i sovranitetit dhe si organ me kompetenca legjislative dhe mbikëqyrëse”, thuhet në arsyetim.
Kushtetuesja përmend zgjedhjen e Presidentit dhe zgjedhjen e Avokatit të Popullit si shembuj.
“Gjykata këtë konstatim e ndërlidh edhe me përcaktimet kushtetuese dhe ligjore lidhur me votimin e krerëve të institucioneve tjera nga ana e Kuvendit (shih, nenin 86 [Zgjedhja e Presidentit] të Kushtetutës dhe nenin 9 (Zgjedhja e Avokatit të Popullit) të Ligjit Nr.05/L- 019 për avokatin e Popullit), proces i cili zhvillohet brenda një afati të përcaktuar dhe përmes një numri të arsyeshëm të raundeve të votimit. Prandaj, Gjykata vlerëson që kufizimi i mundësisë së votimit të të njëjtit/es kandidat/e për Kryetar/e të Kuvendit deri në 3 (tre) herë konsiderohet si një mekanizëm dhe mundësi që deputetët e zgjedhur, në frymën e bashkëpunimit konstruktiv të në frymën e ushtrimit të mandatit të tyre kushtetues sipas përcaktimeve të Kushtetutës të arrijnë që realizojnë detyrimet e tyre kushtetuese për zgjedhjen e Kryetarit/es të Kuvendit”, thuhet në arsyetim.



Të tjera
Lajme Showbiz
Më në fund zbulohet e dashura e Klodit për të cilën refuzoi Elijonen dhe Beniten
Është zbuluar më në fund vajza
Aktuale
Hiqen dilemat për kandidaturën nga familja Jashari, deklarohet edhe Bekim Jashari
Anëtarë të familjes së heroit të
Aktuale
BE shtrëngon kontrollet mbi përbërësit e ushqimeve për foshnjat
Pas një skandali që përfshiu ushqimet