Kryetari i LDK’së, Lumir Abdixhiku do të niset të dielën drejt Amerikës. Kështu ka konfirmuar për Periskopin zëdhënësja e partisë, Sibel Halimi.
‘’Mund të ju konfirmoj se Kryetari Abdixhiku udhëton këtë të diele për në ShBA, për një vizitë një-javore, me ç’rast ai do të zhvillojë takime të shumta me zyrtarë intitucionalë të shtetit amerikan, senatorë, kongresmenë e shumë personalitete të tjera.’’, është përgjigjur Halimi për Periskopin.
Dy liderët e opozitës, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi dhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku do të udhëtojnë drejt Amerikës.
Abdixhiku do të vizitojë Departamentin Amerikan të Shtetit (DASh), që ditë më parë lëshoi një komunikatë ku shprehte “shqetësim e zhgënjim” për vendimin e Qeverisë së Kosovës për targat. Tutje, do të zhvillojë takime shumë të rëndësishme edhe në Senat dhe në Dhomën e Përfaqësuesve.
Një vizitë tjetër Abdixhiku do t’i bëjë edhe Këshillit të Sigurisë Kombëtare (NSC), ndërkaq pjesë e agjendës pritet të jetë edhe takimi me institute kërkimore politike.
Kujtojmë që në anën tjetër, përpos ministres Albulena Haxhiu e kryetarit Shpejtim Bulliqi, as një zyrtar tjetër i lartë i Vetëvendosjes s’do ketë mundësinë të shkojë në Amerikë. Bëhet fjalë për kryetarin e Gjilanit, Alban Hyseni. Këtë e ka konfirmuar shefja e kabinetit të tij, Arbenita Sopi Haziri./Botapress.info/