Në një takim me Ambasadorin e Francës në Kosovë, Olivier Guérot dhe Zëvendës Drejtorin nga Ministria për Punë të Jashtme dhe Evropë, Sylvain Guiaugué, kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka thënë se bojkoti i institucioneve nga serbët e Kosovës është i nxitur dhe i orkestruar nga Beogradi zyrtar.
Zyra e Kryeministrit ka njoftuar se sot Kurti ka takuar “për një bisedë miqësore” Ambasadorin Olivier Guérot dhe Zëvendës Drejtorin Guiaugué, me të cilët ka biseduar për disa çështje, përfshirë edhe situatën e tensionuar në veri të vendit.
Shpërndan videon e vjetër të Kurtit nga viti 2007, çfarë mesazhi po çon VV?
“Kryeministri Kurti i theksoi suksesin e arritur në procesin e Berlinit përmes nënshkrimit të tri marrëveshjeve, që është lajm i mirë për qytetarët e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ai i njoftoi miqtë francez me mbarëvajtjen e punës së institucioneve, situatën e sigurisë në përgjithësi, me theks në pjesën veriore të Kosovës, përkushtimin për Agjendën e Reformave Evropiane dhe përsëriti urgjencën për mbylljen e procesit të liberalizimit të vizave për Kosovën. U diskutua edhe për zhvillimet e ditëve të fundit. Kryeministri Kurti tha se bojkoti është i nxitur dhe orkestruar nga Beogradi zyrtar dhe është rezultat i veprimeve të tyre të vazhdueshme destruktive në dialogun ndërmjet dy vendeve”, thuhet në njoftim.
Sipas njoftimit, Kurti ka ritheksuar se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar për ta vazhduar dialogun dhe e angazhuar për rend dhe sundim të ligjit, paqe e siguri në Kosovë dhe rajon.