Sipas disa zyrtarëve të lartë amerikanë, liderët ushtarakë rusë së fundi kanë zhvilluar biseda rreth asaj se kur dhe si Moska mund t’i përdorë armët taktike bërthamore në Ukrainë, duke ngritur shqetësime në Washington dhe në qendrat e tjera aleate, raporton The New York Times, përcjell Botapress.info
Presidenti rus, Vladimir Putin, pretendohet se nuk ka marrë pjesë në këto bisedime që ndodhën kundër prapavijës në rritje të retorikës bërthamore të Kremlinit dhe dështimeve ruse në fushëbetejë, por fakti se liderët e lartë ushtarakë rusë morën pjesë në diskutime të tilla shqetësoi Administratën e presidentit amerikan, Joe Biden.
Pavarësisht kësaj, zyrtarët amerikanë thanë se nuk kanë parë dëshmi se Rusia është duke i lëvizur armët bërthamore drejt lokacioneve ose duke marrë hapa taktik për të përgatitur një sulm të tillë. Raporti i inteligjencës rreth këtyre bisedimeve qarkulloi në Qeverinë amerikane në mes të muajit tetor.
Zyrtarët amerikanë nuk i përshkruajtën skenarët e shqyrtuar prej lidershipit ushtarak rus mbi përdorimin e armëve bërthamore. Megjithatë, drejtori i CIA-s, William Burns, më parë ishte shprehur se “dëshpërimi potencial” i Putinit ndaj humbjeve në Ukrainë dhe dështimet në luftë mund të shtyjë Rusinë drejt përdorimit të armëve bërthamore.
John Kirby, zëdhënës i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkura, refuzoi të komentonte në lidhje me “detajet e këtij raportimi”.
Sipas matjeve të Pentagonit, Rusia zotëron deri 2.000 armë taktike bërthamore, të cilat janë të synuara për përdorim në fushëbetejë për të shtypur forcat e armatosura të armikut. Asnjë armë taktike bërthamore nuk është përodur në luftë, por ato mund të zhvendosen në çdo rrethanë, përfshirë raketat dhe granatat luftarake.
Armët taktike bërthamore kanë fuqi më të vogël dhe janë të parapara për përdorim në distanca më të shkurta se kokat bërthamore ICBM.
Ekspertët ushtarakë thonë se përdorimi i armëve bërthamore- për herë të parë në 75 vjet- do ta ndryshonte rrënjësisht natyrën e luftës. Edhe pse pasojat e shkatërrimit do të vareshin nga shumë faktorë, përfshirë madhësia e armës dhe drejtimi i erës, edhe shpërthimet e vogla bërthamore mund të vrasin mijëra njerëz dhe shumë pjesë të Ukrainës do t’i bënte të pabanuara.
Përderia rreziku për eskalim të mëtutjeshëm mbetet tejet i lartë, zyrtarë të Administratës Biden dhe aleatë të Shteteve të Bashkuara thonë se bisedat telefonike në mes homologëve rusë dhe perëndimorë në muajin e fundit kanë ndihmuar në uljen e tensioneve bërthamore. Fjalimi i Putinit të enjten e kaluar, gjatë së cilit mohoi se Moska po përgatitej të përdorte armët bërthamore në Ukrainë, uli edhe më tutje tensionet, sipas disa zyrtarëve.
Në Washington, zyrtarët e Administratës thonë se edhe më tutje nuk besojnë se Putin planifikon përdorimin e armëve bërthamore, madje as “bombat e ndyta”. /Botapress.info/