Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është i prerë në qëndrimin e tij për mosshtyrje të afatit për targat.
Pavarësisht kërkesës së ndërkombëtarëve për një shtyrje prej 10 muajsh, Kurti po thotë se 31 tetori është data e fundit kur serbët kanë mundësi që të konvertojnë tabelat e tyre në RKS.
Lidhur me këtë çështje dhe me procesin e dialogut si dhe për arritjen e marrëveshjes finale në mes Kosovës dhe Serbisë, ka folur njohësi i situatës në Ballkan dhe analisti amerikan, Daniel Serwer.
Sipas tij, kryeministri Kurti me vendimin për targat po ushtron sovranitetin e Kosovës.
Por, shton se duhet të jetë i përgatitur të përballet edhe me pasojat e mundshme.
“Kurti po ushtron sovranitetin e Kosovës. Shpresoj se ai është i përgatitur të përballet me pasojat. Sigurisht që e kuptoj padurimin e tij – madje kam sugjeruar që 10 minuta janë shumë të gjata. Por të kesh të drejtë funksionon vetëm nëse lëvizja që bën nuk krijon probleme më të mëdha”, ka thënë Serwer për Frontonline.
Ndërsa, sa u përket vizitave shpeshta të emisarëve dhe zyrtarëve të lartë ndërkombëtar në Kosovë, profesori i Universitetit ‘John Hopkins’ në Uashington, Daniel Serwer ka deklaruar se kjo po bëhet për të pasur përparim në procesin e dialogut.
Por, shton se si Prishtina e po ashtu edhe Beogradi po i duken të papërgatitura për kompromise.
“Miqtë e Kosovës po përpiqen të inkurajojnë përparimin në dialog. Kjo është puna e tyre dhe i uroj suksese. Megjithatë, nuk është e qartë se ata po prodhojnë ato lloje të përgjigjeve në Beograd që do t’i mundësonin Prishtinës të përgjigjet në mënyrë reciproke. Të dy kryeqytetet më duken të papërgatitura për kompromis”, është shprehur ai.