Zëvendëskryeministrja, njëherit ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla është nisur për në Nju Jork.
Lajmi është bërë i ditur përmes një komunikate të lëshuar nga MPJD.
Sipas kësaj komunikate, Gërvalla do ta përfaqësojë Kosovën në seancës e Këshillit të Sigurimit të OKB-së “gjatë së cilës do të shqyrtohet raporti periodik i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres për Kosovën”.
MPJD njofton se gjatë këtij takimi, Gërvalla “do t’i paraqesë të arriturat e Republikës së Kosovës, sfidat me të cilat përballet, sukseset në fushën e ekonomisë dhe sundimit të ligjit, reformat në fusha të ndryshme si dhe perspektivën e vendit”.
Kjo seancë do të mbahet të martën nga ora 15:00 (21:00 sipas orës lokale në Kosovë).
Njoftimi i plotë:
Ministrja Donika Gërvalla merr pjesë në takimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së në Nju Jork
Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, znj. Donika Gërvalla, është nisur për Nju Jork, ku do ta përfaqësojë Republikën e Kosovës në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, gjatë së cilës do të shqyrtohet raporti periodik i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres për Kosovën.
Gjatë këtij takimi, ministrja Gërvalla do t’i paraqesë të arriturat e Republikës së Kosovës, sfidat me të cilat përballet, sukseset në fushën e ekonomisë dhe sundimit të ligjit, reformat në fusha të ndryshme si dhe perspektivën e vendit.
Seanca e Këshillit të Sigurimit të OKB-së do të mbahet të martën, më 18 tetor, duke nisur nga ora 15:00 (21:00 sipas orës lokale në Kosovë).