Gjykata Kushtetuese ka qenë sot në epiqendër të kritikave të ashpra nga Lëvizja Vetëvendosje, pas një vendimi që ndal votimin e fshehtë për kryetarin e Kuvendit dhe vendos kufizim në tri herë kandidim për këtë pozitë.
Ky qëndrim përbën një kthesë të dukshme nga qëndrimi i njëjtë subjekti disa vite më parë. Në vitin 2020, kur Kushtetuesja rrëzoi Qeverinë Hoti për shkak të një vote të një deputeti të dënuar, Vetëvendosje e përshëndeti vendimin si fitore të drejtësisë dhe rendit kushtetues.
Asokohe, kryetari i VV-së, Albin Kurti, kishte shkruar: “Pas shtatë muajve na u dëshmua ajo që dihej nga fillimi. Zgjedhja e qeverisë koti ka qenë kot. Zgjedhje e paligjshme, jokushtetuese. Kemi humbur shumë vite, jo vetëm muaj. […] Qeveria jonë e re do të jetë shërbim i mirë. Sepse qytetari është mbreti i republikës.”
Edhe ministrja aktuale e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, atëkohë kishte deklaruar: “Ne e vlerësojmë vendimin. Po presim ftesën nga ushtruesja e detyrës së presidentes znj. Osmani, e cila e ka për detyrë të ftojë partitë politike për të marrë vendimin e tyre për datën e zgjedhjeve të reja.”
Ndërsa Blerim Sallahu, përfaqësues i VV-së në atë kohë, kishte deklaruar: “Një deputet i dënuar me vendim të formës së prerë me një vit e më shumë burg, nuk mund të jetë deputet, e një Qeveri e varur nga vota e tij nuk mund të jetë Qeveri. […] Këtë e konfirmoi sonte Gjykata Kushtetuese.”
Por sot, në rrethana të tjera dhe me një vendim që duket se nuk u konvenon politikisht, përfaqësuesit e VV-së kanë dalë me tone të ashpra kundër Gjykatës Kushtetuese.
Deputeti Hekuran Murati shkroi se vendimet e Gjykatës nuk janë të bazuara në Kushtetutë, por në interes të partive: “Në vitin 2020, Gjykata Kushtetuese bëri kthesë dhe e ndryshoi pikën 1, kur i dha të drejtë Presidentit asokohe që të mandatonte një qeveri pa fituesin brenda […] Në vitin 2025, kësaj radhe në disa akte, Gjykata Kushtetuese përsëri bëri kthesë edhe për pikën e dytë […]. Kjo nuk është drejtësi. Ky është arbitraritet klientelist.”
Edhe deputeti Armend Muja, së bashku me të tjerë nga radhët e VV-së, nuk nguruan ta cilësojnë vendimin si të padrejtë.
Por reagimi më i ashpër ka ardhur nga komisarja e VV-së, Dejona Mihali. Ajo ka postuar emrat e të gjithë gjyqtarëve të Kushtetueses, duke i akuzuar për lidhje me partitë opozitare dhe me Listën Serbe.
Në një reagim të gjatë në Facebook, Mihali shkroi: “5 nga 7 anëtarët janë ish koalicioni PAN+Lista Serbe të zgjedhur në 2018. Asnjë njeri me mendje të shëndoshë nuk do të priste diçka tjetër prej tyre.”
Ajo përmendi një nga një gjyqtarët, duke theksuar sipas saj, përkatësinë politike ose mbështetjen që kanë marrë në kohën e zgjedhjes.
Në të njëjtën linjë ka reaguar edhe deputetja Saranda Bogujevci, e cila shkroi: “Demokracia përfaqësuese u anulua në Kosovë dhe nuk vlen më. Kot i fiton zgjedhjet, kot del i pari. 6 gjyqtarë […] shkelin vullnetin e popullit.”
Të tjera
Aktuale
Zjarr i madh në Ferizaj, digjen fusha e mal – dëmet kapin mbi 140 mijë euro
Një zjarr i madh ka përfshirë
Aktuale
Avokati për kufizimet e vizitave Thaçit: Zhvendosje vëmendjeje nga roli tani përcaktues i mbrojtjes
Avokati Ardian Bajraktari, duke komentuar vendimin
Lajme
Xhavit Haliti: Pa koalicion, Kurti s’mund t’i krijojë institucionet
Pas vendimit të fundit të Gjykatës