Nuk ka të ndalur shpërndarja e parave të falsifikuara në rajonin e Gjilanit, ku kartëmonedhat që më së shumti po qarkullojnë në duar të qytetarëve janë ato të vlerës 50 euro.
Vetëm gjatë këtij viti kanë ndodhur 23 raste të falsifikimit të parave, ku gjysma e tyre kanë mbetur enigmë derisa pjesa tjetër janë zbardhur dhe 4 persona janë arrestuar.
Gazeta ditë më parë ka raportuar se 4 persona kanë përfunduar në prangat e Policisë nën dyshimin për falsifikim të parave.
Nga Policia e Gjilanit tregojnë për Gazetën se gjatë periudhës nëntë mujore në Drejtorinë Rajonale të Policisë Gjilan janë raportuar gjithsejtë 23 raste të falsifikimit të parasë.
“Prej këtyre rasteve më tepër se gjysma janë zbuluar dhe dërguar në Prokurori, për të cilat raste janë arrestuar katër persona të cilët janë dërguar në mbajtje me urdhër të prokurorit të shtetit”, thonë nga Policia e Gjilanit.
Sipas tyre monedhat të cilat dyshohet se kanë qenë të falsifikuara më tepër kanë qenë ato të vlerës 50 euro.
Nga Policia e Gjilanit theksojnë për Gazetën se krahasuar këtë periudhë të vitit 2022 me periudhën e njëjtë të vitin 2021 ka rënie prej 66.17 % ose nga 68 raste në vitin 2021 në 23 raste në vitin 2022.
“Për të gjitha këto raste kem njoftuar dhe apeluar tek publiku me qëllim të preventimit sa më tepër në mënyrë që të mos dëmtohen qytetarët”, thonë nga Policia e Gjilanit./Botapress.info/.