Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka folur në seancën e sotme të Kuvendit ku po diskutohet mos-ekzekutimi i pagave për mësuesit grevistë.
Para deputetëve, Krasniqi ka përmendur një storie të dy prindërve mësues të cilët para kamerave treguan se këtë muaj e kanë hallin për ushqim e nevoja tjera elementare
Ai tha se qasja ndaj mësuesve është e njëjtë me atë të veteranëve.
“Besoj që të gjithë mbrëmë e keni pa një kronikë televizive ku dy mësimdhënës një çift, flisnin për situatën në të cilën ata gjenden pas vendimit të Qeverisë për mos me jau pagu pagat. Pra një familje me dy punëtorë të arsimit të cilët nuk e dijnë se si munden me vendos ushqim në tavolinën e tyre gjatë këtij muaji. Dhe pas kësaj kronike vinte ajo e ministrit që thoshte “kush nuk punon, s’ka pare”. Unë s’po muj me kuptu çka kanë këta me mësuesat e Kosovës. Kjo është një trajektore e njëjtë që po i shoqëron në veprimet e tyre këta njerëz. Kështu ishte edhe për veteranët. Edhe sot është në të njëjtën gjë, se këtyne po ua heq bukën prej gojës. Ministri e ka shkel ligjin për mos-ekzekutim të pagave. Për këtë ka kallëzim penal. Për këtë ka me u përgjigj. Pagat kanë me dalë. S’e kuptoj a do me metë dikush nga ministrat pa e shkelë ligjin pa e shkelë Kushtetutën. Ministrja e Arsimit e ka shkelë Kushtetutën, kjo është dashtë me kërku falje edhe qat ditë me ecë në shpi”, tha ai.
Krasniqi tha madje se Qeveria po e merr rolin e gjyqësorit duke interpretuar ligjet.
Madje tha se edhe këtë po e bën gabim.
“Është e pavërtetë mënyra qysh po i interpretoni ligjet. Ju jeni për t’i zbatuar ligjet, jo me i interpretu, këtë e bëjnë institucionet e drejtësisë. Këta janë ba edhe gjykatës edhe prokurorë. Pse s’po e lexon nenin 13, i cili nuk lejon çfarëdo sanksionimi, as material. Një ministër që ia don të mirën qytetarëve, mundohet me ia lehtësu gjendjen, jo me ia rëndësu. Neni 13 thotë se as për organizuesit e grevës s’mund të merren masa disiplinuese apo materiale. Qeveria nuk është punëdhënës, komunat janë. Kjo çka po ndodhë është edhe një formë tjetër e ngarendjes së Qeverisë për me i uzurpu kompetencat e pushtetit lokal. Në këtë formë ju po doni me uzurpu edhe qat pushtet, përmes ndalesës së pagesave”, tha ai.
Këtë qasje të Qeverisë, Krasniqi e quajti “diktatoriale”.
“Po idhnoni kur po ju themi se kjo është tendencë diktatoriale. Ja qysh të them unë ja qysh tjetër s’mundeni. Po çka është tjetër kjo? Ju s’jeni as të majtë, as të djahtë, as liberal. Shumica kanë pritë që keni me ba diçka. Ato shpresa që i keni çu në qiell”, tha tutje kryetari i PDK-së.
“Mësuesit s’munden me i pagu kreditë, s’munden me sjellë ushqim në tryezat e tyre”, tha në fund ai.