Një përplasje ka ndodhur mes asamblist të Vetëvendosjes në Gjilan, Ismajl Kurteshit dhe kryesuesit, Arianit Sadiku po ashtu nga VV.
Ish-deputeti i Vetëvendosjes, tani asamblist në Komunën e Gjilanit, Smajl Kurteshi ka shpërthyer me nervozizëm ndaj kryesuesit të kuvendit Arianit Sadiku i cili vjen po ashtu nga e njëjta parti Lëvizja Vetëvendosje.
“Qu prej atyhi e le dikë që i del zot atij vendi”, ishte Ismajl Kurteshi që ia nisi me këto fjalë t’i shpreh pakënaqësitë ndaj mënyrës se si e udhëhiqte seancën Arianit Sadiku i cili i dha dy minuta kohë për të folur jashtë rendit të ditës shefit të grupit të këshilltarëve të LDK-së, Avdyl Aliut.
Kjo e kishte acaruar shumë Kurteshin. Ai i thotë bashkëpartiakut që po ia shqetëson nervat e po ia bën hallakam.
“Çka është kjo punë, nuk ka drejt askush me ndërhy në seancat që vazhdojnë. Ku këna mbet aty vazhdojmë. Nëse e ki shok Avdylin, pas seancës, në seancë vetëm sipas rregullores. Mos ja nxirr fundit, po na shqetëson nervat e po na bon hallakam”, u shpreh Kurteshi, përcjell Insajderi.
Ndërsa Shefi i grupit të LDK-së Avdyl Aliu ia kthen Kurteshit që problemet partiake leni jashtë derës së Kuvendit.
“Nervat edhe problemet partiake që I keni I leni të dera jashtë. Mos i sillni këtu brenda”, tha Aliu.
Pas kësaj përsëri ka reaguar Kurteshi duke I kërkuar kryesuesit t’ia ndal fjalën.
“Mos ja nxjerr bishtin. Ndalja fjalën”, tha Kurteshi.
E kryesuesi ia kthen shumë shkurt “Baca Sami a e kryve”.
Pakënaqësitë brenda degëve të Vetëvendosjes në disa komuna
Zgjedhjet e brendshme të LV-së po përcillen me disa pakënaqësi dhe akuza ndaj qendrës. Dega e VV-së në Lipjan është përballur me disa dorëheqje, duke nisur nga Shkelzen Bislimi, që kishte dorëzuar kandidaturën për kryetar dege.
Po ashtu edhe dega në Mitrovicë kishte tensione. Ramadan Beshiri, aktivist i devotshëm i Lëvizjes Vetëvendosje nga Mitrovica nuk është certifikuar për të qenë kandidat për kryetar të degës së partisë në këtë komunë. Ai ka shprehu publikisht pakënaqësitë e tij dhe hodhi akuza drejt udhëheqësisë. Beshiri tregon se si në garë ka favorizime për Armend Mujin, duke etiketuar Sekretariatin e Përgjithshëm.