Drejtori i Qendrës për Punë Sociale në Prishtinë është demantuar nga Prokuroria e Shtetit. Të martën, ai ka deklaruar se 11-vjeçarja e cila dyshohet se është dhunuar seksualisht, nuk ka qenë në strehimore para ngjarjes së fundit.
11-vjecarja e cila dyshohet se u dhunuar nga pesë persona të hënën, kishte qenë viktimë në qershor të këtij viti. Ajo ishte raportuar si e zhdukur fillimisht e më pas ishte dërguar në strehimore.
Por, dy ditë më parë, Vehbi Mujku, Drejtor i Qendrës për Punë Sociale në Prishtinë deklaronte për Paparacin se, 11-vjecarja e dyshuar për dhunim asnjëherë nuk ka qenë duke qëndruar në Strehimore.
“Jo nuk është e vërtetë, vajza ka qenë me prindër dhe nuk ka qenë në strehimore. Në strehimore veç është vendosur tash”, deklaroi të martën Mujku.
Drejtori i Qendrës për Punë Sociale, Vehbi Mujku mohonte kategorikisht se 11-vjecarja se më parë po qëndronte në strehimore.
Sipas Mujkut, vetëm pas rastit ku dyshohet se ajo është dhunuar seksualisht, 11-vjecarja është dërguar në strehimore.
“Në cilën strehimore? Ajo është vajzë e prindërve dhe para se me ndodh kjo ka qenë me prindër, pasi ka ndodhë kjo është dërguar në strehimore”, deklaroi Mujk, dy ditë më parë.
Në njoftim thuhet se e mitura ishte dërguar në strehimore pasi ishte gjetur e intervistuar.
“Në qershor të këtij viti, e mitura fillimisht është raportuar në stacionin policor në Prishtinë si person i zhdukur, me ç’ rast është njoftuar prokurori kujdestar nga Departamenti për të Mitur i kësaj prokurorie, i cili ka autorizuar policinë në ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore dhe e njëjta është gjetur e intervistuar në prezencë të punëtores sociale dhe mbrojtësit të viktimave, si dhe, më pas është dërguar në strehimore”.
Lidhur me rastin e dhunimit të 11-vjeçares janë dërguar në mbajtje pesë personat e dyshuar të përfshirë në këtë rast, prej tyre dy madhor dhe tre të tjerë të mitur, për shkak të veprës penale “Dhunimi”, dhe janë në masë paraburgimi.