Sot është arritur një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë për lëvizjen e lirë të qytetarëve të të dyja vendeve me letërnjoftime/dokumente të shteteve përkatëse, pa pasur nevojë që qytetarëve që e kalojnë kufirin t’u lëshohet ndonjë dokument tjetër. Megjithatë, prapë Serbia ka insistuar që kjo nuk do të thotë njohje e Kosovës nga ana e tyre, dhe si rrjedhojë personave që udhëtojnë drejt Serbisë me letërnjoftim të Kosovës do t’u jepet një tekst nga shteti serb.
Ndonëse u trumpetua nga Qeveria e Kosovës si një sukses i madh dhe vendosje e reciprocitetit, në fakt nuk del të jetë reciprocitet i plotë. Qytetarët me letërnjoftim të Serbisë do të futen në Kosovë pa ndonjë letër shtesë, por e njëjta s’do të vlejë për ata që futen në Serbi me letërnjoftim të Republikës së Kosovës.
Marrëveshja e sotme, e cila pranon dokumentet personale kryesisht për arsye praktike reciproke të lirisë së lëvizjes, shoqërohet me një tekst që mund të quhet tekst mohimi ose refuzimi, i cili do të shfaqet dukshëm kudo.
Sipas një burimi të Gazetës Metro brenda Qeverisë së Republikë së Kosovës, ky tekst do të ketë këtë përmbajtje: “Mundësimi i përdorimit të letërnjoftimeve të lëshuara nga Prishtina (Kosova) bëhet vetëm për arsye praktike për të lehtësuar pozitën e individëve dhe për të mundësuar lirinë e lëvizjes, në përputhje me Marrëveshjen për Lirinë e Lëvizjes, të arritur në Dialogun e vitit 2011. Nuk mund të interpretohet si njohje e pavarësisë së shpallur në mënyrë të njëanshme të Kosovës, nuk paragjykon përcaktimin e statusit përfundimtar të Kosovës dhe nuk mund të interpretohet si pëlqim i Beogradit për të devijuar nga Rezoluta 1244 (1999) e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”.
Ende s’është e qartë se si do të lëshohet ky tekst, në formë të ndonjë dokumenti shtesë, letër ose direkt në letërnjoftimin e Kosovës, mirëpo ky tekst do të jetë aty kur një person me dokumente të Kosovës kalon në anën tjetër të kufirit.
Ndryshe, marrëveshja u bë zyrtare nga Përfaqësuesi i Lartë i BE’së, Joseph Borrell, i cili falënderoi liderët për punën e tyre, megjithëse e pranoi se ende duhet të gjendet një zgjidhje për targat e veturave./Botapress.info/