Letafete Latifi, Eksperte e Mjedisit, MFKDuke u bazuar në të dhënat e Agjensionit për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës (AMMK), më shumë se 50% të kohës ajri në Prishtinë është i pashëndetshëm dhe i rrezikshëm. Por, si ka ndryshuar cilësia e ajrit në Kosovë ndër vite?! A është ajri më i ndotur tani në krahasim me më parë?!
Mbështetur nga Fondacioni i Mijëvjeçarit i Kosovës (MFK) dhe Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) ka zhvilluar rrjetin nacional të monitorimit të cilësisë së ajrit dhe rrjetin e komunikimit duke ofruar të dhëna në kohë reale për cilësinë e ajrit, përmes aplikacionin mobil Air Quality in Kosovo në Android dhe IOS, portalit zyrtar të cilësisë së ajrit në Kosovë, si dhe uebfaqen zyrtare të Institutitit Hidrometeorologjik të Kosovës (IHMK).
Letafete Latifi, eksperte e mjedisit në MFK, flet më shumë rreth kësaj çështjeje.
1. Nga përvoja e juaj e gjatë në fushën e mjedisit, konkretisht në fushën e monitorimit dhe menaxhimit të cilësisë së ajrit, a mund të na thoni se si është trendi i cilësisë së ajrit në Kosovë dhe cila është zona më e ndotur?
Nga përvoja ime e deritanishme në këtë fushë është vërejtur se cilësinë e ajrit në Kosovë e bëjnë të dobët përqëndrimet e larta në ajër të grimcave të pluhurit PM10 dhe PM2.5, mirëpo, viteve të fundit këto përqëndrime kanë një tendencë ne rёnie dhe vërehet një trend i përmirësimit të cilësisë së ajrit krahasuar me vitet e mëhereshme 2013-2018. Megjithatë ende është problematike çështja e cilësisë së ajrit në Kosovë, e sidomos në sezonën e dimrit dhe në zonat urbane, aty ku edhe kontributi i emisioneve në ajër është më i lartë dhe atëherë kur kushtet atmosferike janë të pafavorshme për shpërndarjen e ndotësve në ajër.
Theksi bie te parametrat PM10 dhe PM2.5 (materiet grimcore me diametër aerodinamik < 10 mikrona dhe <2.5 mikrona), pasi që në vendin tonë problematika e ndotjes së ajrit vie kryesisht nga përqëndrimet e larta të këtyre dy parametrave. Ndërsa sa i përket përqendrimeve në ajër të ndotësve të tjerë që janë monitoruar gjatë kesaj periudhe si SO2 (dioksidi i sulfurit), NO2 (dioksidi i azotit), CO (monoksidi i karbonit) dhe O3 (Ozoni) nuk ka pasur tejkalime të theksuara me përjashtim të ndonjë rasti sporadik të tejkalimit të vlerës së lejuat të NO2 për zona specifike në periudha specifike me aktivitete të shtuara në afërsi të stacioneve monitoruese si dhe raste të rralla të tejkalimit të vlerës së lejuar të O3 (Ozoni në shtresat e ulta të atmosferës) gjatë sezonit të verës.
Nëse vlerësojmë cilesine e ajrit në zona të ndryshme të Kosovës është vërejtur se regjioni i Prishtinës duke përfshirë, Prishtinën, F.Kosovën dhe Obiliqin, janë zonat me ndotjen më të lartë të ajrit. Kjo rrjedhë nga fakti se kjo zonë është më e industrializuar dhe me një dendësi më të lartë të popullsisë si dhe trafik të dendur.
2. A ka informacione të mjaftueshme që qytetarët të kuptojnë dhe informohen në kohë për cilësinë e ajrit në Kosovë?
Viteve të fundit qytetarët janë mirë të informuar dhe në kohë reale për cilësinë e ajrit falë investimeve të bëra si nga ana e donatorëve por edhe nga ana e institucioneve qeveritare në rritjen e performancës në fushën e informimit dhe transparencës së të dhënave për cilësinë e ajrit.
Aktualisht qytetarët mund të informohen mbi cilesinë e ajrit për zonën ku ata jetojnë përmes aplikacioneve të ndryshme për telefona të mençur të zhvilluara nga institucionet qeveritare por edhe nga sektori i shoqërisë civile. Që të gjitha bazohen në të dhënat nga rrjeti nacional i monitorimit të cilësisë së ajrit i menaxhuar nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës. Është zhvilluar/krijuar Portali nacional i cilësisë së ajrit përmes të cilit qytetarët por edhe institucionet mund të marrin informacionet për cilësinë e ajrit në kohë reale. Në të njëjtat burime informacioni (aplikacioni për telefona te mençur dhe web portalin për cilësinë e ajrit) qytetarët po ashtu mund të informohen edhe për parashikimin treditor të cilësisë së ajrit, i cili do të iu mundësoj atyre që të planifikojnë aktivitetet në ambiente të hapura dhe të reduktojnë ekspozimin në ajër të ndotur, si masë parandaluese për ruajtjen e shëndetit dhe ndryshimin e sjelljes së tyre ndaj cilësisë së ajrit.
3. A është bërë mjaftueshëm në përmirësimin e cilësisë së ajrit në Kosovë dhe cfarë mendoni se duhet të bëhet në të ardhmen në këtë aspekt?
Mendoj se ende duhet bërë më shumë në drejtim të përmirësimit të cilësisë së ajrit, përkundër disa veprimeve që janë ndërmarrë deri më tani.
Pasi qe ekziston Plani i Veprimit për Cilësinë e Ajrit në nivel nacional, në të cilin janë të listuara një numër i caktuar i masave për përmirësimin e cilësisë së ajrit, është koha që këto masa të konkretizohen, të ndërmirren veprime konkrete si nga niveli lokal po ashtu edhe nga operatorët ekonomik.
Komunat duhet të hartojnë Planet Lokale për Cilësinë e Ajrit në mënyrë që të identifikojnë masat specifike për secilën komunë dhe të krijojnë një bazë të mirë për të orientu investimet në kontribut të parandalimit të ndotjes dhe përmirësim të cilësisë së ajrit, që nënkupton investime në realizim të projekteve që në mënyre direkte apo indirekte do të ndikojnë në uljen e shkarkimeve të ndotësve në ajër dhe përmirësim të cilësisë së ajrit. Të investohet në efiçiencë të energjisë dhe në përdorim të energjisë së pastër për ngrohjen e ambientit të brendshëm në institucione dhe në shtëpi banimi, pastaj ne organizim të transportit publik dhe shumë e shumë masa të tjera , që siç thashë edhe më parë janë të listuara edhe në Planin Nacional të Veprimit për Cilësisë të Ajrit.