Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, ka deklaruar se ish-ministri i Bujqësisë, Nenad Rikallo e ka rrënuar imazhin e Ministrisë së Bujqësisë me keqpërdorimet për të cilat tani akuzohet. Ai ka thënë se këto keqpërdorime kanë ndodhur në kohën kur me Qeverinë e Kosovës drejtonte ish-kryeministri Ramush Haradinaj.
Ministri i është kundërpërgjigjur Haradinajt, i cili e kishte këshilluar që të veshte çizmet dhe të dilte nëpër ara duke i ndihmuar fermerët.
“Keni shtruar brengën e juaj pse kam paraqitje me ambasador dhe nuk po i veshi çizmet me i monitoru fermerët. Mendoj që imazhi është i rënduar për shkak të keqmenaxhimit në të kaluarën. Ish-ministri Rikallo i cili ka qenë ministër i juaj është njëri nga ata që ka dëmtuar imazhin e Ministrisë së Bujqësisë për shkak të akuzohet për abuzimin e 4 milion eurove. Angazhohem të krijojë politika dhe gjithsesi do t’i veshi çizmet por duhet të rikthehet besimi. Nuk e shoh rolin e ministrit duke veshur vetëm çizmet dhe duke vrapuar nëpër ara por duke krijuar besim në institucione i cili është rrënuar. Fermerët kanë parë arrestimet e zyrtareve të cilëve u janë gjetur para marramendëse” ka thënë ai.