Ministria e Drejtësisë e ka larguar nga puna ish-drejtorin e burgut për të mitur në Lipjan, Isuf Ibërdemaj. Vendimi për largimin e tij nga puna është marrë nga Komisioni Disiplinor të mërkurën, më 10 gusht.
Në dokumentin e siguruar nga Gazeta Online Reporteri.net, thuhet se i njëjti po akuzohet përgjegjës për shkelje të rëndë disiplinore.
Ndaj tij është shqiptuar masa disiplinore “Largimi nga Shërbimi Civil”, derisa procedura për largimin e tij nga puna është iniciuar në dhjetor të vitit të kaluar, sipas Raportit të Inspektoriatit të Ministrisë së Drejtësisë, nën dyshimin se i njëjti ka bërë shkelje të rëndë.
Ibërdemaj është shkarkuar nga detyra pasi, derisa ishte drejtor i Qendrës Korrektuese për të mitur në Lipjan, në dhjetor te vitit 2021, dyshohet se ka lejuar daljen dhe përcjelljen e të burgosurit B.M nga Qendra e Paraburgimit në kundërshtim me dispozitat ligjore.
“Z.Ibërdemaj është njoftuar me kohë për inicimin e procedurës ndaj tij, është pajisur me shkresat e lëndës lidhur me shkeljet që i ngarkohen, dhe është njoftuar me të drejtat për mbrojtje dhe kundërshtim të inicimin”, thuhet në vendim. /Reporteri.net/.