Gazeta raportoi sot për bastisjet që u kryen në një fshat të Prizrenit që rezultuan me arrestimin e të dyshuarit për grabitjen e armatosur në pompën e derivateve ‘Ex Fis’ në Piranë të Prizrenit, më 4 korrik. Gjatë kontrolleve në fshatin Serbicë e Ulët të Prizrenit, u arrestua një person i dyshuar dhe u sekuestruan një armë zjarri e një palë dorëza.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se personi i arrestuar është Daniel Tushaj, i cili u kap nën dyshimet se është i përfshirë në këtë rast.
![](https://sinjali.com/wp-content/uploads/2022/08/296994649_742795066930542_4170980262379612562_n.png)
Lajmin për arrestimin e tij e ka konfirmuar për Gazetën Sinjali edhe togeri i Policisë në Prizren, Shaqir Bytyqi.
“Sot në mëngjes është kryer një bastisje në fshatin Serbicë e Ulët lidhur me dyshimet që ka të bëjë me grabitjen e armatosur në fshatin Piranë në pompën e benzinës ‘Ex Fis’. Gjatë bastisjes është gjetur një armë e cila dyshohet se është përdorur në grabitje. Arma është sekuestruar dhe është arrestuar personi i dyshuar, i cili është duke u intervistuar në stacion”, tha Bytyqi për Sinjalin.
Një ditë pasi ndodhi rasti, Sinjali kishte publikuar pamje ekskluzive nga momenti i grabitjes së 3 mijë eurove, ku shihet hajni duke hyrë në pompën e derivateve me kallash në dorë.
Në pamje po ashtu shihet se posa i dyshuari hyn brenda, nën kërcënimin e armës, ia jep një qese plastike shitësit, i cili për pak minuta ia mbush me para dhe më pas zhduket nga vendi i ngjarjes.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.