Besnik Mulliqi është shkarkuar nga pozita e drejtorit të Drejtorisë së Inspeksionit në Komunën e Podujevës.
Kjo u bë e ditur nga vet Mulliqi, i cili përmes një shkrimi në Facebook tha se vendimin për shkarkim e ka pranuar përmes një e-maili zyrtar. Kjo sipas tij erdhi pas një aksioni të rrënimeve në fshatin Orllan, në zonën e Liqenit të Batllavës.
Ai thotë se ka pasur mospajtime të thella me kryetarin e Podujevës, Shpejtim Bulliqi, për rrënimet e bëra duke pretenduar se kjo edhe është arsyeja e shkarkimit të tij.
“Pra, shkarkimi ka ndodhur si pasojë e përpjekjeve të mia të vazhdushme për ta mbrojtur atë zonë dhe jo vetëm! Po, është e vërtetë që kemi pasur mospajtime të thella me Kryetarin e komunës së Podujevës, në njërën anë une në mbrojtje të ligjit dhe anën tjetër “Ai” në tentim për të më penguar!”, ka shkruar Mulliqi në Facebook.
Ai e cilëson vendimin për shkarkimin e tij si skandaloz.