Më poshtë postimi i plotë i Krasniqit.
Mitrovica, qyteti i punës, historisë e kulturës, më në fund ka marrë drejtimin e duhur dhe të merituar, nën udhëheqjen e Bedri Hamzës, profesionistit e Kryetarit shembull.
Përmirësimi i infrastrukturës rrugore nëpër lagje të Mitrovicës, investimet e mëdha në shëndetësi e në arsim, rikthimi i vëmendjes në shërbimet publike cilësore dhe të sigurta, mbështetja e madhe për kulturën, sportin e rininë – janë vetëm disa nga prioritetet me të cilat Kryetarin Hamza dhe ekipin e tij i gjetëm të angazhuar.
Vizioni i Kryetarit Hamza për transformimin e Mitrovicës, që në fokus ka përmirësimin e jetës dhe mirëqenies së qytetarëve, është konkret, i matshëm dhe i arritshëm. Duke e njohur Bedriun prej vitesh, jam më se i bindur që të gjitha planet e tij për Mitrovicën do të jetësohen.
Por, fatkeqësisht, vullneti, dija e angazhimi i Kryetarit Hamza dhe ekipit të tij po hasë në pengesa aty ku nuk do të duhej – në Qeverinë e Kosovës. Diskriminimi i Qeverisë ndaj komunave që udhëhiqen nga opozita, po e tejkalon çdo kufi. Qytetarët e Kosovës duhet të trajtohen të barabartë nga Qeveria, pavarësisht se ku jetojnë ata. Ky është minimumi që duhet të bëhet!