Dy ditë më parë 30 vjeçari, Dardan Osmani nga fshati Saraishtë të komunës së Ferizajt u gjetë pa shenja jetë. Ai po dyshohet se ka vrarë vetën. Me humbjen e tij spo pajtohet assesi vëllai i tij, Elbasan Osmani, shkruan Insajderi.
Përmes një dedikimi prekës Elbasani tri vjet më i madh se Dardani kujton kohën se si shkonin së bashku në shkollë e secilin hap e bënin bashkë.
Ndër tjerash ai përmend se si e mendonte fejesën e tij por ndërkohë me lajmin për vdekjen e tij siç shprehet Elbasani ‘gëlltiti një gotë vrerë’.
“Si ndihesh atje?! A po na sheh të gjithëve me zemrat e plasura?”, shkruan ai.
Në fund të shkrimit vëllai i madh thotë se Dardani ua shuajti gëzimet për gjithë jetën.
Reagimi i plotë:
DEDIKIM
Për ty vëlla që u rritëm e nuk u plakëm bashk!
Eh…Did (Dardan). Sot kur hidhja dheun mbi akivolin tënd, po kujtoja kur pak ditë pas lufte, me shumë gëzim unë fillova klasën e tretë e ti të parën. Me shumë ndrojtje e kaloje rrugën derisa unë ta mbaja qantën. Me frikë se po vonohemi, vraponim për të hyrë në shkollë, që ti ta nxësh bankën e parë.
Ditë pas dite të qëndroja afër për detyrat, për rrugën e re që nise. Ishim gati si binjak, bashk shkonim në shkollë e bashk vinim. Ishim bashk kur përfundove shkollën e fillore e po nisje një rrugë të re, atë të gjimnazistit. Bashk ishim në Prishtinë kur shihje drejtimet e Fakultetit, të cilin pas shumë operacionesh e komplikimesh shëndetësore, nuk arrite ta përfundosh!
Isha afër teje kur fillove punën e parë. Vitet kalonin e ti po bëheje burrë. Ishe sugari i shtëpisë e “Sadri Arifi” i familjes (emri i stërgjyshit). Ashtu të thonin kusherinjtë sepse dukeshe burrëror edhe kur ishe i vogel. Me buzëqeshjen tënde e bëje çdokënd për vete. Isha pak xheloz sepse unë nuk dija ashtu!
Mendova që shpejt do të ulem në tryezën e drekës së fejesës tënde, por padrejtësisht gëlltita një gotë vrerë kur të pash që ti nuk jetoje më. U trishtova kur pash që ti u nise andej e unë mbeta këtu. Po shikoj qiellin e po mendoj, a thua ç’je duke mendu tash? Si ndihesh atje?! A po na sheh të gjithëve me zemrat e plasura?
Shpesh e kam mendu dasmën tënde. Edhe pse në karakter mundohem të jem i përmbajtur, ëndërroja të dehem fort, të kërcej e të luaj pa masë, të hyp mbi tryez e të këndoj si i “çmendur”. Ta shkrij zemren në dasmën e vëllaut. Po çka t’i bësh?! U tret e mbeti veç një ëndërrim i bukur që kurrë nuk u realizua. Mbeti veq pamje e bukur me sy të mbyllur e hidhërim i syve të hapur!
Eh… sa e vështirë vëlla! Po të mundja, ti kisha dhënë gjysmën e viteve të mija, për ta përfundu jetën në mënyrë të përafërt, bashk!
Na shuajte gëzimet për gjithë jetën Dardan! 😢