Qeveria e Kosovës ka emëruar sot bordin e ri të ndërmarrjes publike, kompanisë rajonale të Ujësjellësit, “Gjakova”. Megjithëse emërimi i bordit të ri është një lajm i mirë në vetëvete, një tjetër problem na shfaqet sërish.
Kryesues i këtij bordi u zgjodh Urim Gashi, përderisa anëtarët e tjerë janë Arianeta Nura, Vildane Maloku dhe Jeton Haxhijaha.
Ku është problemi?
Edhe në këtë vendim të Qeverisë Kurti II, ashtu si në shumë vendime tjera të emërimeve të bordeve në institucione publike (që duhej të na përkisnin të gjithëve), pjesë e ‘kritereve’ joformale të përzgjedhjes del të ketë qenë ‘libreza partiake’, pra anëtarësia në partinë në pushtet, Vetëvendosje.
Anëtari i këtij bordi, Jeton Haxhijaha, është anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje.
Ai është nga komuna e vogël e Rahovecit. I njëjti në rrjetin social Facebook, shihet në fotografi të shumta me deputetin e kësaj partie nga Rahoveci, z. Visar Korenica.
![](https://nacionale.com/uploads/FOTO-1111.jpg)
Përveç partisë së Kurtit, Jetoni shihet se është pëlqyes edhe i partisë së presidentes Vjosa Osmani Sadriu të quajtur “Lista Guxo”.
Ngjarje të ndryshme të presidentes, Jeton Haxhijaha i ka shpërndarë edhe në llogarinë e tij në rrjetin social Facebook.
Edhe java e kaluar ishte e mbushur me punësime partiake e familjare nga partia në pushtet.
Për fat të keq, kryeministri i vendit Albin Kurti asnjëherë nuk ka adresuar seriozisht këto punësime, derisa ka vlerësuar lart eksperiencën e tyre. Vlen të përmendet se Kurti kishte qenë i ashpër – dhe me të drejtë – ndaj punësimeve në baza bartiake dhe në veçanti në punësimet partiake në institucione e ndërmarrje publike. Kjo quhej nga ai dhe partia e tij si “kapje e shtetit”.