Rusia po pretendon se i ka shkatërruar pajisje të shumta ushtarake të ardhura nga SHBA dhe vendet europiane, afër një stacioni të trenit në rajonin e Kharkivit.
Ministria e Mbrojtjes së Rusisë që njoftoi për këtë, gjithashtu tha se një depo tjetër municioni u godit në Bakhmut, një bazë e pasme për operacionet ushtarake ukrainase në lindje.
Nga pala ukrainase nuk u raportua për sulm rus mbi këto depo armësh.
Ukraina tha se kishte pasur një sulm ajror në Bakhmut në rajonin e Donetskut herët në mëngjes të së shtunës, duke dëmtuar një fabrikë dhe duke vrarë dy persona, shkruan CNN, transmeton Gazeta Express.
Ministria ruse e Mbrojtjes tha gjithashtu se mbrojtja e saj ajrore kishte rrëzuar 13 dronë ukrainas dhe tre raketa balistike ukrainase Tochka-U ishin kapur në zonën e Izium, ku luftimet kanë vazhduar për më shumë se një muaj.