Radio Televizioni i Kosovës (RTK) ka paguar katër mijë euro për transmetimin direkt të ndeshjes mes Tyson Furyt dhe Dillian White, ndërsa tenderin për këtë transmetim e ka fituar operatori ekonomik nga Shqipëria ‘Smart Solutions’.
Dje, me fillim nga ora 23:00 është zhvilluar dueli ‘i zjarrtë’ ndërmjet Furyt dhe White në stadiumin kombëtar të Anglisë ‘Wembley’, ku të pranishëm ishin rreth 94.000 mijë tifozë.
Në njoftimin që është bërë publik, procedura e tenderimit ka qenë e negociuar dhe pa publikim të njoftimit për kontratë, ndërsa është bërë publike më datën 21 prill dhe është nënshkruar të premtën, një ditë para transmetimit të duelit.
Në dosjen e tenderit thuhet se RTK për shkak të interesimit të madh të qytetarëve për këtë duel e kanë konsideruar të arsyeshme që të marrin të drejtat eksluzive të këtij dueli.
“Bazuar në interesimin e madh të audiencës së RTK-së për boksin në përgjithësi, e për këtë meç në veçanti, atëherë si palë kërkuese (Programi i Sportit në RTK-TV), ka konsideruar me interes të veçantë, marrjen e të drejtave televizive, për çka edhe e ka përcjellë kërkesën te strukturat menaxhuese të RTK-së, është miratuar oferta sipas vendimit te bashkangjitur”, thuhet tutje në dosjen e tenderit.
Ndërsa kujtojmë se RTK më herët kishte paguar edhe 35 mijë euro për transmetimin e dy ndeshjeve futbollistike të Kombëtares së Kosovës kundër Burkina Fasos dhe Zvicrës.