Për katërmbëdhjetë ditë, Qeveria e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti është përcjellë me skandale të njëpasnjëshme, si brenda ashtu edhe jashtë vendit. Për krejt këto, u kërkua përgjegjësi nga ekzekutivi. Natyrisht edhe dorëheqje, nga opozita.
Shkelja e Kushtetutës nga ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci dhe shkelja e fëmijës dhe arsyetimi i pakuptimtë nga ministrja e Industrisë, Rozeta Hajdari, ishin disa prej rasteve që qeveria mori kritika të shumta.
Tani, rasti më i freskët në këtë periudhë padyshim që është dyshimi i përfshirjes së ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj në një skandal të madh financiar në Slloveni, raporton Botapress.info
Shkelja e Kushtetutës nga Ministrja e Arsimit
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, më 8 prill 2022 kishte humbur betejën gjyqësore me ish-kryetarin e Kamenicës, Qëndron Kastrati.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës kishte njoftuar se ka pranuar kërkesën e Komunës së Kamenicës dhe e ka hedhur poshtë vendimin e MAShTI-t për arsim alternativ të përshpejtuar në këtë komunë, duke vlerësuar se nuk është në përputhje me ligjin.
Rasti ndërlidhej me riorganizimin e shkollave në Komunën e Kamenicës më 2019, që ishte iniciuar përmes vendimet të kryetarit të komunës me arsyetimin e rënies së numrit të nxënësve në disa shkolla dhe mungesës së infrastrukturës së mirëfilltë të institucioneve arsimore.
Kushtetuesja doli me një vlerësim prej disa pikash prej të cilave thuhej se organizimi dhe kompetencat e njësive të vetëqeverisjes lokale rregullohen me ligj, se komunat kanë kompetenca vetanake dhe se rishikimi administrativ i akteve të komunave nga autoritetet qendrore në fushën e kompetencave të tyre, kufizohet në sigurimin e përputhjes me Kushtetutën dhe ligjin.
Mirëpo, vetë ministrja Nagavci në një reagim të publikuar në Facebook kishte mbrojtur vendimin e saj antikushtetues. Madje, ajo kishte theksuar se do ta analizonte vendimin.
“Vendimin e GjK-së do ta analizoj me kujdes në ditët në vijim, por mbetem e bindur se mosveprimi nga ana ime në rastin e Kamenicës do te ishte shkelje e të drejtave të fëmijëve, shkelje e së drejtës kushtetuese për arsim, shkelje e konventave ndërkombëtare dhe në dëm të interesit të fëmijëve. Një gjë të tillë nuk mund ta toleroj as si ministre, as si nënë e as si profesioniste”, tha Nagavci.
Pas vendimin të Gjykatës Kushtetuese partitë opozitare kishin kërkuar shkarkimin e ministres së arsimit, ndërkohë që vendimin antikushtetues të Nagavcit e kishte mbrojtur edhe Qeveria, raporton Botapress.info
Pavarësisht kësaj, Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, nuk është shkarkuar dhe nuk ka dhënë dorëheqje. Ajo vazhdon ende të udhëheqë me këtë ministri.
“Fëmija u përplas papritmas me veturën e Ministres, Rozeta Hajdari”
S’kaluan më shumë se tre ditë edhe një ministre e Qeverisë Kurti u përfshi në një skandal.
Bëhet fjalë për “përplasjen e fëmijës” me veturën e ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari.
Mesditën e 10 prillit 2020 Ministrja, Rozeta Hajdari, kishte goditur me veturën e saj personale një fëmijë në lagjen “Arbëria” në Prishtinë.
Kjo e fundit në një postim në Facebook, teksa kishte njoftuar për aksidentin kishte dhënë një sqarim të çuditshëm.
Ajo shkruante se një fëmijë u përplas “papritmas anash veturës” të cilën ajo po e ngiste.
Mirëpo, një gjë e tillë ishte demantuar nga një raport i Policisë i publikuar nga mediat në po atë ditë, raporton Botapress.info
Sipas këtij raporti vlerësohej se arsyeja e aksidentit të shkaktuar është “mos-përshtatja e shpejtësisë sipas kushteve të rrugës”.
“Me datë 10.04.2022 rreth orës 12:25 në rrugën “Vicianum” në Prishtinë ka ndodhur një aksident trafiku me lëndime. Auto 1 Ford Fiesta ngjyrë e kaltër, shofer Rozeta Hajdari FSHK e lindur *****. Këmbësori i lënduar I.B. i lindur me **** 2012 në Prishtinë. Shkaku i aksidentit, mospërshtatja e shpejtësisë kushteve të rrugës”, thuhet në raportin zyrtar të PK-së.
Versioni zyrtari i Policisë ishte dhënë një ditë më pas, përmes raportit 24 orësh, raporton Paparaci.
Pas këtij aksidenti ishte kërkuar edhe shkarkimi i ministres Rozeta Hajdari, mirëpo një gjë e tillë nuk ndodhi.
Kurse, kreu i Qeverisë në një konferencë për media më 12 prill të këtij viti dha detaje nga aksidenti që policia nuk i kishte bërë të ditura.
“Ka qenë me veturën e saj, me motrën e saj me aftësi të kufizuar. Nuk ka shenja në asfalt të frenimit. Nuk ka pasur shpejtësi më tepër se ç’duhet”, deklaronte shefi i Qeverisë.
Ambasadori i Kosovës, Martin Berishaj, dyshohet për një skandal të madh financiar në Slloveni
Mediat sllovene e kanë zbuluar dje skandalin financiar, në të cilin dyshohet se janë përfshirë Robert Golob, kryetar i Partisë së Lirisë dhe ambasadori i Kosovës në Koraci, Martin Berishaj.
Televizioni slloven, në kronikën e transmetuar dje, tregonte se në xhirollogarinë MB Consulting, e regjistruar në Mal të Zi, nga një kompani serbe, janë derdhur në baza të rregullta prej 5 mijë deri në 50 mijë euro, për çdo muaj. Pronari i vetëm i kompanisë MP Consulting, në bazë të dokumentacionit zyrtar, është Martin Berishaj.
Televizioni slloven ka raportuar se një pjesë e dokumentacionit të siguruar tregon se ngjarja në fjalë është shtrirë në vitet 2019 dhe 2020.
“Pagesat janë kryer nga dega për Serbi e GEN (kompani energjetike) te kompania private MB Consulting në Mal të Zi, me të cilën kompani GEN ka marrëveshje për këshillime. Janë realizuar pagesa mujore prej 5 deri në 55 mijë euro në muaj, ose gjithsej mbi gjysmë milioni euro”, raporton media sllovene, transmeton Botapress.info
Këto akuza i ka mohuar vetë ambasadori në një postim të bërë në Facebook të premten në Facebook, teksa ka shtuar se do të padisë mediumin slloven.
“Pavarësisht nga fushata parazgjedhore në Slloveni dhe ballafaqimi i fundit i mbrëmshem në mes akterve kryesor politik, i z. Janša dhe z. Golob, ku u mohua shkrimi i Planet tv lidhur me emrin tim, nga sot, padia ime kunder portalit ne fjalë, hap rrugë per fjalen e fundit gjykatës. Nuk është e drejtë të jemi thjesht të sigurtë në drejtësi dhe në të vërtetë. Duhet edhe ta mbrojmë drejtësinë dhe te vërtetën. Përndryshe shpifjet bëhen normale”, shkroi ai në Facebook.
Në në përkrahje të ambasadorit Berishaj ka dalë e para e vendit, Vjosa Osmani si dhe kreu i Qeverisë, Albin Kurti.
Osmani ka deklaruar se gazetarët po konstatojnë një shpifje të cilën ambasadori do ta dërgojë në organet e drejtësisë në Slloveni.
Presidenca më vonë njoftoi se ka kërkuar kthimin e Berishajt në Kosovë dhe një raport nga ai rreth këtij skandali.
Albin Kurti, Vjosa Osmani si dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla nuk kanë deklaruar se ambasadori Martin Berishaj do të shkakrohet.
Gazeta ka kontaktuar sot me Prokurorinë Speciale të Sllovenisë të cilët i kanë thënë mediumit se rasti i përfshirjes së dyshuar të ambasadorit Martin Berishaj në një skandal financiar, nuk është nën hetime penale.
Ata kanë shtuar se nuk janë duke i trajtuar pretendimet e publikuara të enjten, raporton Botapress.info
Shkarkimi i ambasadorit Martin Berishaj është kërkuar nga të gjitha partitë opozitare në vend. Kundrejt dyshimeve të përfshirjes së ambasadorit kanë reaguar edhe analistë të ndryshëm./Botapress.info/