Drejtori i të ashtuquajturës Zyra për Kosovën në Serbi, Petar Petkoviq, ka deklaruar se marrëveshja e Brukselit është një gur historik në mbrojtjen e interesave kombëtare serbe në Kosovë.
Sipas tij, Beogradi nuk duhet të heq dorë nga insistimi në pikën kyçe të dokumentit për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Zbatimi i marrëveshjes është kusht për normalizimin e mëtutjeshëm të marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”, tha ai.
Petkoviq theksoi se kanë kaluar 3 mijë e 287 ditë nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Brukselit, e siç thotë ai “Prishtina ende refuzon ta zbatojë atë, e ta themelojë Asociacionin e cila është zemra e dialogut dhe për shkak të së cilës Beogradi ka hyrë në procesin e normalizimit”.
Sipas Petkoviq nëse duhet paqe dhe stabilitet, atëherë duhet të ketë Asociacion.
“Në këtë moment të vështirë, kur Evropa dhe e gjithë bota po përballen me krizën ukrainase, tregohet se sa e rëndësishme është formimi sa më i shpejtë i Asociacionit që siguron të drejta kolektive për popullin serb në Kosovë. Nëse duam paqe dhe stabilitet, duhet të kemi Asociacion”, ka thënë Petkoviq në përvjetorin e nënshkrimit të atij dokumentit.