Policia e Kosovës, njësia e autostradës është ballafaquar mbrëmë me një person, i cili s’është bindur ndaj urdhrave të zyrtarëve policorë në një pikë kontrolli në fshatin Korreticë e Epërme.
Fillimisht, zyrtarët policorë i kanë dhënë sinjal të dyshuarit që të ndalojë, pasi i njëjti kishte tejkaluar shpejtësinë e lejuar për atë pjesë.
I dyshuari përveç që nuk ka përfillur urdhrin e Policisë, ai ka ikur me veturë, ndërsa pas tij janë vënë në ndjekje zyrtarët policorë.
Policia ka arritur ta ndalojë veturën, por i dyshuari veçse ka ikur nga automjeti. Sinjali mëson se në vendin e ngjarjes, është gjetur një pasagjer që ndodhej në këtë veturë, i cili s’ka qenë bashkëpunues me Policinë dhe ka pasur sjellje të ashpra ndaj tyre.
I njëjti është shoqëruar në stacionin policor të Drenasit për intervistim, ndërsa pas konsultimit me prokurorin është iniciuar rasti mospërfillje e urdhrave të ligjshëm si dhe deklarim i rremë.