Shefi i grupit parlamentar te AAK-së, Besnik Tahiri, me anë të një postimi në Facebook, ka deklaruar se “nuk duhet të biem pre as si politikanë, e as si komentatorë politikë në lojën e ulët që e bënë presidenti Vuçiq me deklarimin e tij se “Britania po e armatos Kosovën”.
“Kjo deklaratë e ka vetëm një qëllim, largimin e vëmendjes nga sulmi armiqësor kundër Policisë së Kosovës në veriun e Kosovës, me një temë që nuk është temë, duke e ditur që aeroplani ka qenë pjesë e NATO-së dhe aranzhimit me KFOR-in. Mos të biem pre e manipulimit dhe mashtrimit të Vuçiqit”, ka shkruar Tahiri.
Tahiri në fund të shkrimit të tij bashkëngjiti edhe titujt e ballinave te mediave pro-qeveritare në Serbi, të cilat me komente fyese raportuan për kinse armatosjen e Kosovës nga ana e Britanisë./Botapress.info/